Kumanova përballet me mungesë të paraleleve shqipe nëpër çerdhe. Në gjashtë çerdhet e qytetit nga gjithsej 1728 fëmijë numri i shqiptarëve është vetëm 100. Prindërit ankohen se pavarësisht nevojës së madhe për hapjen e paraleleve të reja për fëmijët shqiptarë drejtuesit e çerdheve refuzojnë të përmbushin këtë kërkesë. Që situata të jetë më e rëndë 100 fëmijët shqiptarë janë vendosur në vetëm dy paralele.

“Ka nevojë jo për një apo dy por për më tepër çerdhe. Ne si kumanovarë jo vetëm për çerdhet por për çdo punë e ndiejmë veten të diskriminuar, ja e ke edhe shembullin me shkollën fillore të muzikës”.

“Disa here kam tentuar ti regjistroj fëmijët mirëpo çdo herë nuk ka patur vend të lirë, dmth 2 paralele nuk mjaftojnë për qytetin e Kumanovës pasi kemi numër të madh të banorëve shqiptar. Shpresojmë në të ardhmen por tani për tani nuk ka asgjë, kanë premtu po asgjë”.

“Duhet patjetër sikurse të gjithë popujt edhe ne duhet të kemi çerdhe, të drejtat duhet t’i kemi të njejta sikurse ata, edhe ne duhet ti kemi. Ata i kanë? Po, edhe ne duhet ti kemi çerdhet për fëmijët tanë”.

Përveç mungesës së paraleleve shqipe edhe numri i të punësuarve shqiptarë në çerdhe është shumë i ulët. Respektivisht nga 150 të punësuar vetëm 13 janë shqiptarë. Megjithëse e kontaktuar disa herë nga Alsat drejtuesja e këtij institucioni Marina Aleksova refuzoi të përgjigjej me arsyetimin se ishte në pushim vjetor. Alsat-M