(Me shkas: Qasja e shpërfytyruar e Sadulla Durakut ndaj komunitetit akademik dhe studentor shqiptar në emisionin debatues „Click Plus“ të TV21, të datës 30 tetor 2019)

Nga Arbër ÇELIKU

Në cilësinë e njeriut të rëndomtë, as që do ta kisha ulur nivelin tim për t’ia thënë Sadulla Durakut të vërtetën mbi gjendjen e arsimit shqip në RMV, por si minister dhe funksionar partiak për rreth dy dekada, një gjë të tillë e kam të domosdoshme.
Me vetëdije, apo ashtu kuturu, s’ka rëndësi fare, Sadulla Duraku bëri shumë mirë që e hapi këtë çështje, të cilën unë ka kohë që e konsideroj si tepër të ndjeshme, por që jam kursyer për shumë arsye. Megjithatë, qasja e tij nuk përkon aspak me realitetin objektiv, për më tepër, qe shumë e pavend, sa arrinte edhe kufirin e një naiviteti të theksuar. Kjo për vetë faktin, që ai e përbalti pa asnjë argument të bazuar konstatimin e tij, duke njollosur mbarë komunitetin akademik dhe studentor shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Se sa e ka përulur postin që ai mban dhe dëmtuar partinë e tij në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk përbën temë diskutimi me këtë rast.
Për më tepër, në konstatimin e tij shabllonizues dhe pa sens, duke dashur ta amnistojë politikën dhe veten, e cila gjithsesi se është formësuese për të gjitha proceset shoqërore, ku bën pjesë dhe arsimi, fshihet një lëmsh i madh mëkatesh, të cilin unë do të përpiqem ta shpalos shkurtimisht në pikat në vijim:
Me dekompozimin shoqëror, i cili ndodhi në pluralizmin tonë bajat në sajë të vizionit klientalist të partive tona, por që, duam apo s’duam ta pranojmë, barra bie mbi partinë e Sadulla Durakut, duke pasur parasysh faktin se ajo është rreth 15 vjet në pushtet, punësimi i punonjësve të arsimit u bë kryekëput nga politika si në arsimin fillor, të mesëm dhe atë të lartë, gjë që çoi edhe në një rënie të paimagjinueshme sa i përket konceptit të vlerës, cilësisë dhe meritokracisë. Sot çdo shqiptar i çdo shtrese shoqërore, sado të dalim unë dhe Sadulla Duraku përpara ekraneve telivizive dhe të shesim gogla për dushk, e di se si funksionon sistemi arsimor, sidomos kur janë në pyetje fëmijët e politikanëve dhe militantëve partiakë.
Në vend që universiteti shqip në RMV si nocion, i cili duhet të jetë mishërimi absolut i vlerës kombëtare dhe universale, të ndihmohej dhe mbështetej fuqishëm nga politika, ai që nga fillesat e deri më sot u pa si thjeshtë si një kërmë për t’iu vërsulur (bërja e votës, ndikimi, ripërtrirja e rejtingut të humbur, tenderimi, etj.). Beteja ishte e rreptë në çdo fazë për këto 2 dekada, megjithatë, falë pjesës parciale të komunitetit akademik, me vendosmëri të madhe për të dalë nga injoranca e imponuar shekullore, humbja ishte e dyanshme. Universiteti i Tetovës nuk u përvetësua kurrë plotësisht nga politika, por, si rrjedhojë e sulmeve të njëpasnjëshme, ai pësoi plagë të rënda. Fillimisht u hap një universitet tjetër (multietnik) dhe u propagandua me të madhe se Universiteti i Tetovës ishte kot. Ende më kumbojnë në vesh fjalët e ambasadorëve perëndimorë këtu e dy dekada më parë se „nga politikanët shqiptarë na është thënë se Universiteti i Tetovës është mbyllur“. Kulmi i paturpësisë ishin dy ndërhyrjet e dhunshme në vitin 2006 dhe 2008 (e cila dhe instaloi një armatë kuadrosh partiakë), për ta përmbyllur pastaj me hapjen edhe të një universiteti tjetër, ende pa e lënë të ngritet siç duhet universitetin ekzistues. Shpejt do të vijë koha e fuzionimit, sepse është e pamundur të funksionojë ky denukleuzim për interesa të pastra politike, duke pasur parasysh rënien e numrit të studentëve shkaku i migrimit masiv, mungesën e duhur infrastrukturore dhe buxhetore, etj.
Të ashtuquajturat disperzime, që u hapën vend e pavend, kishin vetëm një qëllim: Bërjen e votës dhe tenderimin, duke e anashkaluar në mënyrë tërësisht arbitrare gjendjen reale të Universitetit, i cili edhe sot e kësaj dite nuk disponon me kapacitetet e nevojshme kadrovike, kurse në atë kohë ishte për faqe të zezë: vetëm 30% e stafit mësimdhënës ishin me vendim të rregullt pune.
Me këtë buxhet që disponojnë universitetet shqiptare në RMV, le që nuk arrihet të bëhet shkencë, por nuk mjaftojnë as edhe për pëmbushjen e kushteve elementare të procesit mësimor.
Të akuzosh studentin se nuk di të përpilojë një kërkesë dhe të mos i kesh ndërtuar atij si shtet a pushtet asnjë bibliotekë, është cinizëm i pashoq. Për këto dy dekada të qeversjes së partisë të Sadulla Durakut, unë nuk mbaj mend të jetë ndërtuar ndonjë bibliotekë qyteti, lëre më universitare. Qofsha gabim!
Të akuzosh dhe të mos veprosh, flas si formësues i politikave arsimore, pra si ministër, zv-kryeministër, deputet, apo çfarë tjetër ka qenë Sadulla Duraku dhe si parti në pushtet për rreth 15 vjet, është një paturpësi e llojit të vet, por më tepër, një shprehje e papërgjegjësisë individuale dhe institucionale.
Ngaqë që nga viti 1995 jam në Universitetin e Tetovës (madje tepër krenar që kam qenë student aty), jam në dijeni të të gjitha proceseve dhe për fatin tim të mirë a të keq, duke qenë edhe në ballë të shumë proceseve, i kam njohur në dritën e vërtetë shumë funksionarë partiakë, të cilët intervenimin për nota e kanë si kafen e mëngjesit. Në dalçin përgjime për këtë fenomen, jam i bindur se Sadulla Duraku nuk do të shprehet më kurrë kësisoj.
Ka edhe shumë për të renditur, por konsideroj se mjafton për ta kapur fillin e çështjes së apostrofuar. Tani le t’i qasemi për një analizë të shkurtër sekuencës diskursive 1:25 minutëshe, të shkëputur nga mediumet e shumta, apo të përmbledhur në 9-10 fraza të Sadulla Durakut; në rrafshin formal gjuhësor ai bën gabime elementare në shqiptim: nuk thotë „universiteti“, por „univirisiteti/univiristetet“ (më shumë herë), „instutucione“, „kritukohen“, „çfarë kuadro jemi tuj qitën ne“, „një kërkesë ta bëje“, „aty ku ne udhëheqmi“, „shiqo“ në vend të „shiko“ dhe pastaj bie ndesh me veten, duke hedhur një tezë (se studentët nuk dinë të përpilojnë një kërkesë), nga e cila sapo ndërhyn gazetari (po ashtu kuadër i Universitetit të Tetovës) zbrapset menjëherë në shenjë të theksuar pasigurie, duke pohuar: „unë nuk kam të drejtë të vlerësoj, unë nuk jam profesor univirisitar“, kurse në rrafshin përmbajtësor mezi arrihet të deshifrohen marrëdhëniet semantike-logjike të diskursit që ai imponon, pra ndërlidhjet e frazave janë të dezintegruara për të paraqitur rrjedhshëm atë, që ai mendon. Në paraqitjen e tij publike si panelist, ai rezulton të jetë një imitues i dobët i kryetarit të tij përplot fjalë të mëdha dhe moralizime dhe padashur merr përsipër rolin e Sanço Panços.
Në gjuhën e popullit, kjo do të thotë: „Kur i qeshmi të përqesh“, megjithatë ai jo që na përqeshi vetëm neve si komunitet akademik dhe komunitetin studentor shqiptar në RMV, por ai përqeshi edhe pjesën dërrmuese të bashkëpartiakëve të tij, të cilët janë në numër të madh të diplomuar në Universitetin e Tetovës: ministra, drejtorë, gjykatës, prokurorë, mjekë, këshilltarë, nëpunës shtetërorë dhe kështu me radhë.
Unë jam i bindur se Sadulla Duraku rrëshqiti padashur drejt humnerës dhe se fill pas emisionit duhet të jetë penduar tmerrësisht.
Arbër Çeliku