“Ekspertët” e politikës dhe të demokracisë në radhët e partisë shqiptare në pushtet, paskan zbuluar se ndryshimi i Kodit zgjedhor në Maqedoninë Veriore qenka në dëm të interesave të shqiptarëve në këtë shtet!

Nëse me ndryshimin e Kodit zgjedhor, nga 6 njësi në një njësi zgjedhore, me sigurimin e barazisë gjinore në listat zgjedhore me 50:50, si dhe të votimit me lista të hapura, mund të dëmtohet interesi i shqiptarëve në këtë shtet, atëherë ju garantoj se këtë “humbje” shumë personalitete shqiptare do ta nënshkruanin pa hamendje!

O Zot, a ka media të lira në këtë shtet, a ka ekspertë që duhet t’ua tregojnë vendin këtyre “ekspertëve” të katandisjes së popullit shqiptar në Maqedoni, të poshtërimit dhe përuljes, të shitjes së interesave kombëtare, shampionëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për dekada me radhë!

Gabimi i vetëm dhe i pafalshëm i Qeverisë aktuale, si propozues i këtyre ndryshimeve, me trusni nga faktori ndërkombëtar, është planifikimi i zbatimit të listave të hapuara në zgjedhjet lokale (komunale) të radhës, dhe jo në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të planifikuara të mbahen më 12 prill 2020.

Niveli i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmasat e shpërnguljes së popullsisë në botën e jashtme, sidomos të shqiptarëve nga Maqedonia, nuk lejojnë asnjë çast të vetëm që bandat politike aktuale ta qeverisin këtë shtet edhe një mandat tjetër.

Korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet t’i thuhet ndal, tani dhe menjëherë!

(13.XII.2019)