Më 15 nëntor të vitit të kaluar, kryeministrit Albin Kurti kishte deklaruar se mbrojtja e të akuzuarve ne Hagë është punë edhe e qeverisë, e sidomos e qeverisë.

Në deklaratën e tij, Kurtit kishte thënë se shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve, pasi në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët.

“Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehuri vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë, me fjalë të tjera kjo është punë edhe qeverie, kjo është sidomos punë qeverie”, kishte deklaruar Kurti.

Madje, Kurti kishte kritikuar Qeverinë Hoti që si pikë të parë kishte eliminimin e task forcës kundër korrupsionit e jo mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare dhe në Gjykatën Speciale.

“Është qeveria e Kosovë ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces, mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bash rëndohet dhe të sintetizohen për fat të keq në këtë kohë të vështirë Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshëm që nga fillimi varej prej secilit deputete të Listës Serbe e që tashmë është vetëm qeveri e pakicës që po tkurret çdo ditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtoj as vetveten e lëre më dikon tjetër, e keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimin i Task Forcës e kundër korrupsioni e jo mbrojtja e UCK në arene ndërkombëtare dhe në Gjykatën Speciale. Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë Çlirimtarë dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë, nuk kemi pse të bëjë gabime tjera”, kishte thënë Kurti.

Kur kanë kaluar gati një vit prej kësaj deklarate, lideri i VV’së tashmë është Kryeministër e për zëvendëse të tij ka Donika Gërvallën, e cila kohë më parë kishte thënë se sapo t’i jepej rasti, do të dorëzojë materiale në Gjykatën Speciale, gjykatë kjo që po i gjykon krerët e UÇK’së.

“Brenda mundësive që kam patjetër që po. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin e pyetur nëse do të dorëzojë materiale në Speciale.

Gërvalla që tash mban pozitën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të martën ka reaguar përmes një statusi në Facebook për kritikat ndaj deklaratës së saj të mëhershme.

“Dje, sot por edhe nesër! Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit. Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”, ka shkruar ajo.

Derisa sot, në mbrojtje të Gërvallës ka dalë edhe shefi i Qeverisë.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel”, ka shkruar Albin Kurti në Facebook.