Kur pushteti është i dobët, nxënësit bëhen cak i manipulimeve politike!

Përfshirja e fëmijëve në çdo aktivitet politik publik është në kundërshtim me Ligjin për arsim të mesëm, ku ndalon çdo organizim politik dhe fetar jashtë qëllimeve të procesit eduktativo-arsimore. Javëve të fundit në Maqedoni si duket ky Ligj nuk ka gjetur mirëkuptim dhe jo vetëm kaq, drejtorët e shkollave, gjegjësisht rasti i fundit në Gjimnazin e Prilepit, ku në një video drejtori u drejtohet nxënësve me fjalët se do të ishte katasrofale nëse zbatohet Deklarata e partive shqiptare dhe nëse futet dygjuhësia në të gjithë territorin e shtetit. Ndonëse, kjo nuk është hera e parë që të thirren nxënësit në protesa ose të përfshihen në politikë. Javë më parë në Gjimnazin ‘Josip Broz Tito’ në Shkup, nxënësit ishin liruar prej orëve mësimore të dalin në protesta.

Në lidhje me këtë çështje, se fëmijët nuk duhet në asnjë mënyrë të mos jenë cak i manipulimeve dhe keqpërdorimeve, duke e pas parasysh se ata sipas të gjitha rregullativave ndërkombëtare dhe vendore, gëzojnë mbrojtje të veçantë, Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar Avokatin e Popullit, Ixhet Memeti.

”Është shumë me rëndësi të potencohet se në Maqedoni, ndodh shpesh që të miturit, fëmijët apo nxënësit të keqpërdoren për qëllime të ndryshme. E keqja më e madhe është se ata përdoren edhe për qëllime politike për nxitje të tensioneve nacionale. Ne rregullisht, kur parandjejmë se mund të ndodh apo mund të ketë këso involvim të fëmijëve, konform konventës apo legjislacionit të Maqedonisë, apelon dhe kërkon si dhe ua tërheq vërejtjen partive politike por gjithashtu dhe prindërve që të kenë kujdes, që të mos i përfshijnë në aktivitete në kundërshtim me ligjin. Institucioni që unë drejtoj, pati një kumtesë ku i gjykon dhe dënon keqpërdorimet e fëmijëve nëpër shkollave, duke ua tërhequr vërejtjen drejtorëve të shkollave dhe kryetarëve të komunave, sepse ata janë përgjegjës për aktivizimin e fëmijëve në protesta. Rastin e fundit e kemi në Gjimnazin e Prilepit. Në vend që drejtori i shkollës të bëjë thirrje për durim dhe tolerancë, ndodhi e kundërta’, vlerëson Avokati i Popullit, Ixhet Memeti.

Memeti së pari herë për Telegrafin bën të ditur se kur është marrë në pyetje kryetari i komunës së Prilepit, ai thotë se kanë dëgjuar fjalë të tmerrshme nga kryetari i Prilepit. Ai u është drejtuar këshilltarëve të Avokatit të Popullit me fjalët ‘A jeni ju maqedonas, tash është çështja shumë me rëndësi për ekzistencën e maqedonasve dhe shtetit maqedonas. Duhet ta ndjeni vetën si maqedonas edhe ju të ngriteni në këmbë dhe ti nxisni fëmijët në këtë drejtim’. Kjo është deklaratë e tmerrshme. Deklaratë e cila çon në urrejtje, duke përdorur për fat të keq edhe fëmijët. Ne i kemi marrë të gjitha masat, duke i dhënë kritikat më të ashpra dhe të kërkojë përgjegjësi, në radhë të parë nga drejtorët e shkollave, kryetarët e komunava si dhe Ministria e Arsimit, e cila sikur nuk është azhure dhe me vonesë reagon, e kam fjalën për inspektoriatin e arsimit. Kjo krejt ndodh si pasojë e politizimit të skajshëm në arsimin e Maqedonisë, sidomos në vendosjen e drejtorëve të shkollave, pastaj në inspektoriatin arsimor, ka shtuar ndër të tjera avokati.

Eksperti dhe sociologu Ibishi Kadriu, për Telegrafin vlerëson se faktorë kryesor që duhet dhe mban përgjegjësi për këtë situatë, janë udhëheqësit e institucioneve edukativo-arsimore, konkretisht drejtorët, së bashku me profesorët. Kadriu thotë se adoleshenca është kategoria më e ndjeshme, prandaj edhe politika manipulon lehtë me nxënësit e shkollave të mesme.

‘Situata e fundit me nxënësit e shkollave të mesme në protestat e fundit, ende e më tepër e rëndon krizën në Maqedoni. Kuptohet se, faktorë kryesor që duhet dhe mban përgjegjësi për këtë situatë, janë udhëheqësit e institucioneve edukativo-arsimore, konkretisht drejtorët, së bashku me profesorët. Realisht e kanë gjetur gjeneratën për të cilën është mbas moshës që ata korrespondojnë, nënkupton se shumë lehtë mund të manipulohen dhe të frustrohen politikisht. Kjo mund vetëm të na eskalojë situatën pak më tepër, veçanërisht kur i kemi parasysh parollat dhe brohoritjet e vetë nxënësve kundër shqiptarëve. Unë jam i sigurtë për një gjë se nëse respektohen normat dhe rregullat pedagogjike në mbarëvajtjen e procesit eduktativo-arsimore nëpër institucione, asnjëherë nxënësi nuk mundet të manipulohet në këtë formë. Mirëpo, kjo nënkupton se në këto institucione politika ka hyjë në palc edhe në mbarëvajtjen e procesit arsimor, e cila është shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë, me pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Që edukimi dhe arsimimi i kësaj gjenerate nga ana e profesorëve të caktuar, nënkupton se janë me paragjykime, me stereotipe dhe frustracione të një nacionaliteti tjetër që ne gjithnjë thirremi për një bashkëjetesë’, potencon Kadriu.

Ai më tej shton se, vetë fakti se shumë shpejtë mund të manipulohen nxënësit, mund të ketë kundër efekt nga pala tjetër, gjegjësisht nga nxënësit shqiptarë. Por nuk duhet harrojmë se në këtë rast prindërit janë ata më të shqetësuarit, nga vetë fakti që fëmija i tij nuk ka dëshirë të keqpërdoret për raste të caktuara në situata të caktuara. Sepse dëshira e vetme e prindërit është që fëmija i tij të shkojë në shkollë të arsimohet, edukohet. Nëse vazhdohet edhe më tej me implikime të ndryshme të nxënësve, konflikti na troket në derë, shkaku se ne kemi shkolla edhe të përziera të komuniteteve të ndryshme dhe poashtu qytete të përziera dhe shumë shpejt kjo mund ta provokojë situatën.

Nga ana tjetër, Albert Hani, aktivist në shumë projekte ndëretnike me të rinjtë, thotë se instrumentalizimi i të rinjve për beteja politike, tregon gjendjen e mjerueshme dhe depresive të forcave politike në vend.

‘Instrumentalizimi i të rinjve për beteja politike tregon gjendjen e mjerueshme dhe depressive të forcave politike, që në tendencë ta fitojë fuqinë e sistemit shtetëror, keqpërdorin energjinë e të rinjve të pafajshëm. Duke gërvishtur sistemin edukativo-arsimor, grupet e interesave të ngushta politike me kthetrat e tyre, gëdhendin njolla urrejtjeje në memorien kolektive të gjeneratave të ardhshme. Eliminini i urrejtjes patologjike për bashkësitë etnike dhe fetare është përgjegjësi dhe obligim hyjnor i çdo mësimdhënësi dhe prindi që do, që fëmiju të jetoj në paqe dhe hare’, thekson Hani.

Hani apelon te të gjithët që të mos lejojnë nxënësit dhe fëmijët të shndërrohen në armë të politikanëve. Aktivizmi qytetar duhet të respektohet dhe përkrahet, posaçërisht nëse ka tendenca të promovojë vlera pozitive, por nëse aktivizimi qytetar nxit urrejtje, i krijon defekte afatgjate shoqërisë dhe si e tillë duhet të ndalohet urgjentisht.

Telegrafi Maqedoni, përndryshe ka kontaktuar edhe ministrin e Arsimit, Pishtar Lutfiu si dhe zëvendës minstrin Safet Nezirin në lidhje me pyetjen se a kanë marrë masa konrekte ndaj shkollave që kanë qenë pjesëmarrëse në protestat e iniciativës ‘Për Maqedoni të përbashkët’, ata nuk kanë treguar gatishmëri të përgjigjen rreth kësaj çështje.