Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Kryesisë së kësaj Lëvizje, Sami Kurteshi, në një intervistë për Telegrafin i ka quajtur të dhimbshme dorëheqjet e fundit të cilat kanë ndodhur brenda kësaj partie.

Kurteshi theksoi se nuk ka dallime politike, ideologjike dhe filozofike mes anëtarëve të Vetëvendosjes, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë dhënë dorëheqje, andaj sipas tij as vet nuk i di arsyet e sakta të këtyre dorëheqjeve.

“Unë edhe sot nuk e di saktësisht cila është arsyeja thelbësore për dorëheqjet…Nuk shoh dallime politike, ideologjike.. preferenca që dallojnë shumë nga tërësia e Vetëvendosjes.  Ky është edhe problemi kryesor që unë them se këto dorëheqje janë të dhimbshme”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët pa dallim janë të shqetësuar me zhvillimet e fundit brenda Lëvizjes, duke thënë se mosmarrëveshjet kanë mundur të zgjidhen brenda organeve të partisë para se të bëhen publike.

“Krejt ne jemi të shqetësuar me këtë që po ndodhë.. Vërejtje konkrete nga ata që kanë dhënë dorëheqje nuk ka pasur.. Unë nuk e di saktësisht cili është problemi themelor…Jam shumë i interesuar që të gjithë këta njerëz që kanë dhënë dorëheqje të takohemi në bazë të parimit ‘hajde të takohemi edhe nëse nuk pajtohemi’…Ejani t’i nxjerrim problemet… Të gjitha këto probleme kanë mundur të zgjidhen brenda organeve të Vetëvendosjes, para se të bëhen publike”, u shpreh Kurteshi.

Ai, duke mos mohuar faktin se dorëheqjet kanë të bëjnë me kandidimin e sërishëm të Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes, pranoi se zhvillimet e fundit megjithatë kanë dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Deputeti Kurteshi ka apeluar për racionalizëm tek të gjithë anëtarët, në mënyrë që të mos vjen deri te ndarja e partisë.