Albin Kurti tashmë mundet që të marrë pjesë në protestat që po organizon opozita sepse më nuk është as në burg e as në arrest shtëpiak, ndonëse për njërën nga to ishte në arrest shtëpiak.

Më 9 janar lideri i Vetëvendosjes gjendej në banesën e tij i rrethuar nga Policia, por në atë protestë që ai e quan si më të madhen të pasluftës i mbeti shumë merak të ishte aty.

Megjithatë Kurti mendon se nuk është shumë me rëndësi pjesëmarrja e tij sa ishte e rëndësishme masiviteti i jashtëzakonshëm i asaj proteste.

Edhe Kurti beson se në të kanë marrë pjesë 100 mijë protestues sepse ashtu i kanë thënë edhe kolegët e tij nga partitë opozitare.

Ndërsa Kurti nuk lë pa përmendur me ironi edhe deklaratën e zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, i cili tha se në protestë merrnin pjesë 8 mijë protestues.

Kurti në një intervistë për KosovaPress flet edhe për ambasadorët e shteteve të BE-së për të cilët thotë se ‘ata nuk mund ta duan Kosovën më shumë se ne’.

Përfaqësuesit e shteteve të BE-së kanë kritikuar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje si në Kuvend e po ashtu edhe në rrugë ndërsa i kanë dhënë përkrahje formimit të Asociacionit të Komunave serbe.

“Ne, jo gjithë herë pajtohemi me gjithçka me ambasadorët e huaj dhe natyrisht që ata janë ambasadorë të huaj. Ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin që e kanë dhënë, sidomos me rastin e intervenimeve të NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, vendin tonë nuk mund ta duan të tjerët më shumë se ne. Fundja, ju e dini shumë mirë që asnjë ambasador me familjen e tij nuk vazhdon të jetojë këtu. Jemi ne ata që jetojmë këtu. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Republikës hiqet për 30 minuta maksimalisht, ndërkohë që ‘Zajednica po të instalohet – atëherë as për 30 vjet s’e heq dot. Ajo do të jetë trashëgimi e kësaj konjukture politike ndaj fëmijëve tanë, ndaj fëmijëve që ende nuk kanë lindur, ndaj brezave të ardhshëm në përgjithësi. Prandaj, këto çështje janë shumë më të mëdha se sa deklaratat e këtij apo atij politikani apo diplomati, të cilët natyrisht që janë të përkohshëm edhe në mandatin e tyre”, ka thënë Kurti duke shtuar se ata (VV) duan marrëdhënie të mira me të gjithë, por fillimisht e duan vendin e tyre.

Duke folur për protestën e 9 janarit , në të cilën ai ka mundur ta shikojë vetëm në televizor, lideri i VV-së mohon kategorikisht se atë ditë ka pasur dhunë nga protestuesit, pavarësisht se disa nga protestues kanë hedhur edhe koktej Molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë dhe policisë së Kosovës.

Madje sipas tij, ishte vetë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri që kishte bërë thirrje për paqe.

“Nuk ka qenë ajo dhunë as e organizuar e as e planifikuar. Mendoj që do bëhet gjithnjë e më vështirë që qytetarët e Kosovës të jenë të durueshëm ndaj kësaj Qeverie dhe koncesioneve që ajo po ua bënë fqinjëve grabitqarë. Ne nuk merremi shumë me dhunën e protestuesve për shkak se kjo do të thotë se të biesh në pozicionet e Isa Mustafës. Isa Mustafa merret me Molotovat, me gurët ndaj Policisë. Ai i ka shumë për qejf ato. Kjo është tema e tij e preferuar, prandaj kjo s’mund të jetë tema jonë e preferuar si opozitë e bashkuar”, tha Albin Kurti.

Në lidhje me protestën e paralajmëruar për 17 shkurt, ditën kur Kosova feston tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj, Kurti thotë se do të jetë paqësore dhe masive.

Megjithëse më herët opozitarët nuk kërkonin zgjedhje të reja, ky diskurs politik tashmë ka ndryshuar e sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe.

Këtë e pranon edhe Albin Kurti që sipas tij me protesta nuk duan ta marrin pushtetin por insistojnë që Qeveria e Mustafës të mos jetë në pushtet.

“Ne po kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pra ne nuk po kërkojmë që me protesta ta marrim pushtetin. Ne me protesta po insistojmë që këta të mos jenë më në pushtet sepse nuk mund t’i durojmë më kështu. Pra një ditë më shumë me ta është shumë më shumë se një ditë më pak për Kosovën”, thotë Kurti.

Sa i përket mundësisë që opozita të ulet dhe të bisedojë me Qeverinë që udhëhiqet nga Isa Mustafa, Kurti tha se opozita nuk mund të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që sipas tij bashkëpunon me Serbinë.

Sipas tij, Qeveria duhet të zgjedhë ose të jetë bashkëpunëtore e opozitës ose e Serbisë.

Lideri i VV-së i cili shpesh është parë nëpër burgje sidomos në kohën UNMIK-ut është i vendosur për gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend edhe po që se arrestohet edhe e dërgojnë në burg.

“Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Republikës ka qenë akt politik i domosdoshëm. Dhe, pavarësisht se në çfarë burgjesh më çojnë, çfarë arrestimesh më bëjnë, pavarësisht prej persekutimit, bindjet e mija janë të palëkundshme, e të tilla do të jenë edhe veprimet e mija, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit. Nuk kam hyrë në Kuvend të Republikës që ta lë protestën te dera. Unë protestën e marrë me vete, sepse ky vend duhet të bëhet – por nuk bëhet me këta”, tha Kurti.

Kurti tha se opozita mund të shkojë në një listë të përbashkët zgjedhore në rast se mbahen zgjedhjet e parakohshme, por që ende nuk është hapur debati konkret përmbajtësor për një gjë të tillë.

Sipas tij, tashmë më shumë janë përqendruar për protestën e 17 shkurtit, të cilën ai e ka quajtur “protestë për ta shpëtuar Republikën e shpallur tetë vite më parë”.

Albin Kurti është i bindur se kjo Qeveri do të tërhiqet vetë e nëse kjo nuk ndodh atëherë do të ndodhë rrëzimi.

Ai ka rikujtuar edhe rezistencën për mos ta shkarkuar ish ministrin Aleksandër Jabllanoviq një vit më parë por që janë detyruar ta shkarkojnë.

Njëjtë sipas Kurtit do të ndodhë edhe kësaj here me Asociacionin dhe Demarkacionin.

Në këtë intervistë Albin K urti ka folur edhe në lidhje me dënimin e Oliver Ivanoviqit për krime lufte duke kritikuar kështu drejtësinë e EULEX-it që sipas tij është vënë në ndjekje të komandantëve të luftës së UÇK-së, ndërsa dëshira e gjyqtarit të EULEX-it ishte që mos ta dënojë fare Ivanoviqin.

Madje siç thotë Kurti EULEX-i nuk do të duhej të kishte të drejtë fare të merret më UÇK-në.

“EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që është rezultat i luftës së UÇK-së dhe gjithashtu ata kanë imunitet prej ndjekjes penale nga gjykatat në të cilat vetë vendosin. Besoj se në përgjithësi ndaj politikanëve të Kosovës, faktorët ndërkombëtarë po preferojnë që ta bëjnë përndjekjen e tyre për krime lufte e jo për krime të paqes. Pra, po duan që t’i marrin komandantët e luftës dhe politikanët për atë që i kanë bërë Serbisë, e jo për atë që i kanë bërë popullit të Kosovës. Për të këqijat që ia kanë bërë Serbisë, mirë ia kanë bërë Serbisë. Për atë do duhej të merrnin mirënjohje, mirëpo shumë prej tyre, për të këqijat që i kanë bërë Kosovës pas luftës, do duhej nga gjykatat e Kosovës, për uzurpimet, krimet ekonomike e financiare të dënohen. Mirëpo, kjo s’po ndodh. Si bëhet që EULEX-i, të ketë kaq shumë zell të merret me krimet e UÇK-së e fare me krimet e pasluftës, e madje as me krimet e kriminelëve serbë”, ka thënë Kurti.