Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.

Ai ka thënë se me vrasjen e 35-vjeçares, u shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër, transmeton Klan Kosova.

“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjën e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”.