Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se ka rrezik për përhapje të ndonjë epidemie, shkaku i ngordhjes së kafshëve nga vërshimet, pas vizitës që bëri në Skenderaj dhe Mitrovicë.

“Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skenderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllok. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi”, ka shkruar Kurti në Facebook, njofton Klankosova.tv.

Kurti tha se nuk ka jetë të humbura falë angazhimit dhe solidaritetit të qytetarëve për njëri-tjetrin.

Pas takimeve me kryetarët Fadil Nura dhe Bedri Hamza, Kurti së bashku me ta vizitoi disa vendbanime të përmbytura.

“Pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara. Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate”, shtoi kryeministri.