Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se nuk do të ketë dialog me Serbinë në mes presidentëve.

Si kandidati potencial për postin e kryeministrit në qeverinë e re Kurti ka thënë se ai do të jetë në krye të dialogut, njofton Klan Kosova.

Por në Beograd mediat po raportojnë se Kurti në Berlin në takimin “Dialogët e Ballkanit” ka caktuar tri parime për dialogun e që i pari është “se nuk e do Aleksandar Vuçiqin në tavolinë”.

Për këtë ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiq duke thënë se Kurti po merret edhe me çështjet në Beograd.

“Atë që ma tha mua ishte kompliment, sepse kundër meje po zhvillohet fushatë sikurse ndaj një tradhtari të madh dhe kjo fushatë është e njëjtë si këtu. Çdo gjë që po më bëjnë këtu po e bëjnë njëjtë edhe në Prishtinë. Vetëm se e kanë një cak dhe rastësisht ai jam unë, askënd tjetër nuk po e përmendin”, citohet Vuçiq nga Tanjug.

Ndërkaq, nga Vetëvendosja, zëdhënësi Arlind Manxhuka, ka thënë për klankosova.tv se deklarata e Kurtit që të mos ketë dialog mes presidentësh ka mundur të keqkuptohet nga presidenti serb.