Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Faton Klinakun nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të kësaj organizate.
Në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me OVL-në së UÇK-së, me qëllimin përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së, shkruan lajmi.net.

“U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, më herët, kanë kërkuar edhe përfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z.Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës.

Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.

Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.

U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe z.Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.