Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti iu përgjigj gjithë atyre që e akuzuan atë se po dorëzohet nga posti i kryeministrit, raporton “Zeri.info”.

Kurti me këtë rast ka thënë se ai nuk është duke dhënë dorëheqje, por është duke u rrëzuar nga deputetët e Kuvendit.

“U tha po dorëzohemi, unë nuk po jap dorëheqje, ky është rrëzim, kurrfarë dorëheqje nuk ka këtu, është në dorën tuaj nëse do të rrëzohet qeveria ose jo. Po, kam qëndruar afër dy orë me presidentin, por edhe këtu po qëndroj disa orë edhe pse kam punë të tjera. Çka është obligim si kryeministër unë qëndroj, kam qëndruar 4 minuta si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por u bë mirë që shkova aty e e mësova të vërtetën”, tha Kurti.

Po ashtu ai gjatë fjalimit të tij bëri të ditur se sapo e mori vesh se nuk ekzistojnë incizimet nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të mbajtur më 17 mars.

Kjo sipas Kurtit është dëshmi se Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur, por jo edhe Qeveria.

“Te kjo puna e konsultimit, më 17 mars u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë dhe tash po më njoftojnë se hard-disku s’e paska regjistru transkriptën fare. Pse po ndodh kjo, kjo po ndodh sepse Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur. Ka ndryshuar vetëm Qeveria, jo prokuroria, gjyqësia, shëndetësia e as ekonomia, veq kjo qeveria ka ndryshu e edhe këtë po përpiqeni ta rrëzoni”, ka thënë tutje i pari i Qeverisë.