Kurti: Zemra e qëndresës së kombit tonë ishte vetë Adem Jashari

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar se 21 vite më parë, në orët e hershme, pa aguar ende 5 marsi, forca të shumta të ushtrisë serbe, me mjete të blinduara, me tanke e me artileri, rrethuan shtëpitë e Jasharëve në Prekaz.

“Ata kërkonin të ndalnin zemrën e qëndresës shqiptare kundër mizorisë serbe. E kjo zemër e fuqishme e qëndresës së kombit tonë, ishte e përmasave vërtet heroike. Kjo zemër ishte vetë Adem Jashari, kryeluftëtari i lirisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i Kurtit në Facebook:

“Të dashur lexues e miq, këto ditë, prej datës 5 e deri në 7 mars, e gjithë Kosova, madje e gjithë shqiptaria, përkujton me respekt e nderim trimërinë dhe sakrificën, forcën dhe vendosmërinë, kontributin dhe mësimin e familjes Jashari.

21 vite më parë, në orët e hershme, pa aguar ende 5 marsi, forca të shumta të ushtrisë serbe, me mjete të blinduara, me tanke e me artileri, rrethuan shtëpitë e Jasharëve në Prekaz.

Ata kërkonin të ndalnin zemrën e qëndresës shqiptare kundër mizorisë serbe. E kjo zemër e fuqishme e qëndresës së kombit tonë, ishte e përmasave vërtet heroike. Kjo zemër ishte vetë Adem Jashari, kryeluftëtari i lirisë.

Bashkë me luftëtarë të tjerë, e gjithnjë i pandarë prej Hamzës, Adem Jashari nuk luftoi vetëm disa muaj, apo një vit a dy. Ai e filloi përgatitjen për luftën çlirimtare në fund të viteve ´80, në moshë fare të re, e luftoi, përkundër përndjekjeve nga Serbia, për vite me radhë, qysh prej fillimit të viteve ´90. Të thuash se Adem Jashari ishte UÇK-ja qysh përpara se UÇK-ja të shpallej e të organizohej, nuk është teprim.

Në tre ditë e net të qëndresës epike në Prekaz, 58 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, nga të cilët 18 gra e 10 fëmijë. Shtypjen ne shqiptarët e kemi përjetuar së bashku, burra e gra, pleq e të rinj. Edhe dëshmorët i kemi prej të gjitha gjinive e moshave. Andaj është e pakuptimtë, dhe e patolerueshme, që diskriminimet të vazhdojnë edhe pas çlirimit. Nuk e dhanë jetën dëshmorët që disa të kenë më shumë liri e disa më pak!

Në përmbyllje të Epopesë së UÇK-së, me datën 7 mars, kur shqiptarët kudo që ndodhen festojnë ditën e mësuesve, ata kujtojnë edhe Shaban Jasharin, babain e Hamzës e Ademit, që i mësoi vajzat e djemtë e Drenicës porsi fëmijët e vet, dhe, i mësoi fëmijët e vet të bëhen porsi shqiptarët e historisë sonë të lavdishme, kryengritës të paepur.

Me vrasjen e Adem Jasharit, makineria e luftës e fitoi një betejë. Por, në të njëjtën kohë, u shënua fati i atij aparati mizor, që ishte humbja e luftës. Me rënien e tij heroike, bashkë me 57 dëshmorët e tjerë të Prekazit, Adem Jashari u bë mësues i kombit shqiptar, i mësoi mësimin e vyer të rezistencës me çdo kusht, kundër robërisë, për lirinë.

Kështu ky njeri i lindur në 28 nëntor e i rënë në 7 mars, me jetën dhe me vdekjen e vet, i rigjallëroi këto dy data të shenjta, u dha atyre më shumë kuptim. Zemra që Serbia u përpoq ta ndalë, u bë zemra e përjetshme e popullit tonë, e cila rreh pa u ndalur, për çlirim e drejtësi, për pavarësi e jetesë me nder.

Le t’ua mësojmë të vegjëlve, le t’ua tregojmë edhe popujve të tjerë, me krenari, historinë e Adem Jasharit dhe Prekazit heroik”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE