Tashmë dihet se në Qeverinë e re nuk do të jenë pjesë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ajo e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska dhe ajo e Arsimit, Mila Carovska. Bojan Mariçi nuk do të jetë ministër i Drejtësisë, ndërsa flitet që Bllagoja Boçvarski do t’ia lëshojë vendin Shilegovit.

Xhenur ISENI

Shkup, 23 dhjetor – Po zhvillohen konsultimet e fundit se kush do të largohet dhe kush do të qëndrojë në kabinetin e Dimitar Kovaçevskit. Tashmë dihet se në Qeverinë e re nuk do të jenë pjesë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ajo e Mbrojtjes – Radmila Shekerinska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska dhe ajo e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska. Ndërsa në media po përmendet emri ministrit e Drejtësisë Bojan Mariçiq si kandidat për ministër të ri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryeministër, ndërsa zëvendëskryeministri aktual Nikola Dimitrov spekulohet të jetë kandidat për ambasador në SHBA. Petre Shilegov është në garë për ministër të Transportit dhe Lidhjeve, por megjithatë e gjithë kjo mbetet të shihet deri në zyrtarizimin e emrave të plotë në përbërjen e re qeveritare.

Alternativa gjatë vikendit të kaluar shpalosi emrat e kandidatëve për postet ministrore. Pritet që Qeveria e re të formohet pasi kryeministri Zaev ta dorëzon dorëheqjen të cilën e paralajmëroi pas humbjeve në zgjedhjet lokale. Partia gjithsej mori 47 funksioni, mes të cilave edhe pozita të drejtorëve në MEPSO, Spitalin Klinik në Tetovë, Fondin Pensional, Hekurudhat e Maqedonisë, Drejtoria për udhëheqjen e librave amë dhe Agjencinë për Investime të Huaja. Carovska veçmë paralajmëroi se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re. Kam sjell vendim të mos marr pjesë në Qeverinë e re me mandatarin e ri, kumtoi ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska. “Në pesë vitet e kaluara bashkë me ekipin tim me të vërtetë reflektuam politika në interes të qytetarëve. Unë vazhdoj të luftoj dhe të rreshtohem pas vlerave të njëjta dhe politikave të njëjta dhe besoj në kapacitetin dhe forcën e shtetit si dhe forcën e grave dhe të rinjve”, ka thënë Carovska.

Ministrja e Mbrojtjes para disa dite paralajmëroi se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re. “Për fat të keq, përshtypja ime se nga ato leksione nuk mësuam se disa nga porositë e opinionit nuk i dëgjuam dhe nuk i kuptuam, dhe për këtë mendoj se vendimi më principiel dhe i ndershëm është të mos marr pjesë në Qeverinë e ardhshme”, potencoi Shekerinska. Ajo rikujtoi se para tetë muajve është tërhequr nga funksioni partiak, zëvendëskryetare e LSDM-së sepse nuk është pajtuar për një pjesë të politikave të cilat sipas saj, kanë kontribuar në humbjen në zgjedhjet lokale dhe nuk pret që punët të ndryshojnë. Edhe Filipçe tha se menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re, do të kthehet në profesionin e tij në Klinikën për neurokirurgji. “Kjo ishte një eksperiencë e madhe, por mjaftë më është me politikë. Menjëherë pas përfundimit të rikonstruimit të Qeverisë, kthehem në profesionin bazë si neurokirurg në Qendrën Klinike”, tha Filipçe.

Kabineti i ri i kryeministrit Kovaçevski nuk do të sjellë ndryshime, por do të jetë vetëm një version i përmirësuar dhe i zgjeruar i Zaevizmit, komentoi lideri i opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski pas informacioneve se qeveria e re do të ketë përbërje të ndryshuar në mesin e tyre. Për Mickoskin, lideri i ri i LSDM-së do të jetë kryeministër jolegjitim. Zgjidhja e problemeve të qytetarëve ende shihet në zgjedhjet e parakohshme. Mickoski po ashtu komentoi se me propozimin e fundit të liderit të Alternativës Gashi për kryeministër teknik, ka dashur të tregojë se BDI dhe LSDM përdorin tema etnike për të mbuluar problemet reale. Pendarovski, nga ana tjetër, brenda 10 ditësh duhet t’i japë mandatin kryeministrit të ri. Kovaçevski do të ketë 20 ditë për të formuar Qeverinë dhe për të shkruar programin.