Nga: Muhamed ZILBEARI
Marsi dhe prilli janë muajt kur me të madhe fillon puna intensive në të gjitha segmentet që kërkojnë kushte klimatike të mira. Kjo ndodh kudo në botë, ndodh edhe te ne. Janë muajt kur ka lëvizje më të madhe të fuqisë punëtore prej një vendi në tjetër, apo më saktësisht, prej atyre më të varfra në ato më të pasura. Mirëpo, kur kjo “lëvizje” është masive dhe kalon në “ikje”, atëherë merr përmasa tjera, kuptimin e së cilës që në lashtësi ia ka dhënë populli me thënien: “ku të dhemb dhëmbi, të shkon gjuha”.
Të gjithëve na brengos kjo ikje masive e rinisë shqiptare në vendet e Perëndimit. Dita-ditës na boshatisen fshatra e qytete. Jemi dëshmitarë se në muajt më të ngrohtë dhe me kushte më të përshtatshme për punë, në fshatrat dhe qytetet tona mbizotëron një trishtim. Rrugë të zbrazura, kafene boshe dhe pleq të mbetur. Rini shumë pak. Tmerr.
Të gjithë flasin për këtë temë, të gjithë brengosen, të gjithë shajnë e ulërijnë, por veprime konkrete s’ka nga askush, e në veçanti nga kompetentët- politika dhe politikanët.
Gjatë kohë jemi ankuar nga Çubrilloviqë e Rankoviqë, për ikjet masive të një pjese bukur të madhe të popullatës sonë. Po tash?? Themi se jemi zotër të vetvetes! Jemi? Sikur të ishim, do të krijonim kushte që kjo rini të mbetej në trojet e tyre. Un nuk besoj që jemi zotër të vetvetes. Ju mendoni si të doni.
Thonë që më 12 prill do të kemi zgjedhje për Kuvend shtetëror! Kush do të votojë?
Zgjedhjet janë në prill, kur rinia jonë merr rrugën e migrimit, kur këtu mbetet gjithçka bosh. Thonë “do të votojnë ata që janë këtu”,”e dikush edhe do të vijë të votojë”.
Të flasim pak për ata që janë këtu dhe mbeten shpresa bazë për të votuar! Po, por ata janë të ndarë në 3 (tre) grupe: 1. Militantët partiakë; 2. Simpatizantët 3. Neutralët.
Militantët partiakë- i ka çdo parti dhe fatmirësisht, dita ditës, janë pak e më pak në numër. Çdo njëri do të votojë për partinë e zemrës, xhepit, apo interesit.
Simpatizantët- atë që e përmenda për militantët vlen edhe për simpatizantët, me përjashtim të asaj “të zemrës”.
Neutralët- quhen ata votues që nuk u intereson anëtarësimi në parti politike dhe nuk janë të varur prej tyre. Ata si bazë për të votuar i kanë programet, moralet politike, cilësinë e kuadrit dhe ndoshta diçka të tretë. Këto janë ata që vendosin të dalin në vendvotim.
Pjesa tjetër e neutralëve janë njerëzit e “оperuar” nga politika, madje as që e dinë që ka zgjedhje.
Neutralët janë ata të cilët e vendosin fituesin. Por, si të motivohen që t’ua mësyjnë vendvotimeve? Shumë lehtë; me një platformë reale e jo platformë rrenash e dallaveresh, me kuadër të shkolluar dhe të pa korruptuar, me tipare menaxhuese, me një fjalor politikani profesional dhe te butë. Kemi ne të tillë?
Një fjalë e urtë popullore thotë: “dita e mirë shihet në mëngjes”. Nëse është ashtu, atëherë s’po na shkruhet mirë.
Fjalori “gërditës”, pa vizioni, mendjemadhësia, bajraktarizmi i skajshëm, banditizmi, korrupsioni… aspak nuk e motivojnë votuesin neutral që të niset drejt kutive.
A do vijnë të votojnë? Kush, ata që ikën për kafshatën e gojës? Jooo. Madje do të ndodhë që edhe ata që kanë mundësi të jenë këtu, për pushimet e Pashkëve, nuk do të vijnë. Duke e ditur se këtë vit Pashkët katolike përputhen me zgjedhjet, presionet kanë filluar që prej festave të Vitit të ri, se kush kë do ta votojë më 12 prill.
Edhe ata e kanë të njohur se, po të jenë prezent, do të duhet të përshëndeten me një pushim normal. Ka mundësi që të ikin në skajin tjetër të botës, vetëm e vetëm të mos i përjetojnë torturat psikike të militantëve partiakë.
Unë nuk e kam idenë se kush do të votojë më 12 prill.