Shkruan: Abdulla Mehmeti
Për çështjet me interes të përgjithshëm, sigurisht që secili qytetar ka të drejtë të kërkojë llogari nga partitë politike, të bëjë vërejtje dhe të kritikojë, përderisa ato thirren në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe në emër të kombit.
Por, a kanë të drejtë qytetarët shqiptarë të kërkojnë llogari nga këto parti politike, nëse ata nuk kujdesen për çështjet më të rëndësishme të punës dhe veprimtarisë së partive politike, siç është financimi i tyre?
Përveç rregullave të pashkruara, ka një rregull të përgjithshme, e cila vlen edhe për partitë politike shqiptare: kush të financon, për atë edhe punon.

Si financohen subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni?
– Nga buxheti i shtetit ku veprojnë ato?
– Nga kontributet e anëtarësisë dhe simpatuzuesve?
– Nga fondet e veçanta për shqiptarët jashtë atdheut, të ngritura nga Shteti Shqiptar (që janë të domosdoshme, por nuk egzistojnë)?
– Nga diaspora shqiptare?
– Nga ndërmarrjet shqiptare, në formën: ti mua tenderin, unë ty përqindjen?
– Nga krimi i organizuar, kontrabanda, korrupsioni?
– Nga mafia?
– Nga agjenturat e huaja?
– Nga shtete, agjenci, korporata, fondacione të huaja, në interes të realizimit të agjendave të tyre politike dhe strategjike?
Përderisa financimi i subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni është i panjohur dhe i mjegulluar për opinionin, edhe veprimtaria e tyre do të jetë e errët për interesat e shqiptarëve.
Edhe frutat e pemëve bien tek rrënjët, nga të cilat ushqehen ato!