Shkencëtar, dijetar, yll i dritës e i dijes, prof. Dr. Asllan Selmani lindi më 10 qershor 1945, në fshatin Llojan – Kumanovë, nga prindërit: babai Ramizi dhe nga nëna Sadbere. Familja Selmani, ishte një familje bujare, përparimtare, patriotike dhe një familje e dalluar në arsim, në kulturë, që në kohën më të hershme. Katër vjet të shkollës fillore, i kreu në vendlindje, ndërsa katër të tjera i kreu në fshatin Miratoc – Preshevë, ngase shkolla fillore në Llojanatë kohë nuk ishte e plotë. Mësimet e mëtutjeshme, Asllani do t`i vazhdojë në Shkollë Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, në vitin shkollor 1963/64. Studimet do t’i ndjek në Fakultetin e Shkencave Matematiko – natyrore dega e Gjeografisë në Shkup, ku mbaron me sukses të shkëlqyeshëm më vitin 1968/69. Pas diplomimit punoi profesor i gjeografisë në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, më vonë në Gjimnazin “Goce Delçev” në Kumanovë, në kohën kur u hapën paralelet në gjuhën shqipe, dhe përsëri pas disa viteve për të kaluar në “Zef Lush Marku” në Shkup.

 

Në ndërkohë regjistrohet në studimet e shkallës së tretë, në degën e gjeografisë pranë fakultetit matematiko – natyror në Zagreb. Në vitin 1976, mbron me sukses temën e magjistraturës me titull: “Aspektet gjeografike në ekonominë e strukturuar dhe të përgjithshme në komunën e Kumanovës”. Në vitin akademik 1978/79, zgjedhet profesor në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ndërsa në vitin 1982, në fakultetin e gjeografisë në Shkup, mbron disertacionin e doktoraturës me temë “Problemet e proceseve socio-gjeografike në komunë të Dibrës, me theks të veçantë, funksioni në vend qendror”. Më 1986, Prof. Dr. Asllan Selmani zgjedhet docent në Institutin e Gjeografisë në lëmin Gjeoekologjike dhe bazat e gjeografisë. Më pas më 2000, zgjedhet profesor i rregullt në Institutin e Gjeografisë, pranë Fakultetit Matematiko – Natyror në Shkup, në të cilën detyrë do të mbetet deri në pension. Në vitin 1990, në zgjedhjet përgjithshme shumë partiake në Maqedoni, zgjedhet deputet republikan dhe në dy mandatet në vazhdim (në vitin 1992 dhe 1996) ishte Ministër për Arsim dhe Shkencë në qeverinë e RM-së. Në këtë detyrë do të jetë deri në fund të vitit 1998, ku më pas përsëri fiton edhe një mandat deputeti (deri më 2002). Koha e kaluar në politikë, i krijoi zbrazësi shpirtërore dhe bukur shumë e mundonte ngaqë ishte mësuar të merret me studime, krijime. mendonte që të e mbush këtë zbrazëtirë në të ardhmen. Ishte i mësuar dhe i edukuar vetëm me të vërteta dhe jo me dredhi e me hilet e të gjitha llojeve të ndryshme, që bëheshin në kohë.

 

Shkencëtari di më së miri se si duhet dashtë familjen, kombin, se si duhet dashtë njerëzimin, natyrën e Zotin. Për gjitha këto çështje ai punoi shumë kohë dhe harxhoi edhe atomin e fundit, por çdoherë me koshiencë, me shumë përpikshmëri dhe me shumë pjekuri, duke mos lejuar që për asnjë çast, për asnjë çmim, të bëjë diç në dëmë të popullit dhe kombit të tij.

Asnjëherë nuk kishte dyanshmëri, por i prerë, i saktë, real dhe këmbëngulës, dhe këto ishin arsyet që asnjëherë në jetë nuk dështoi. Të hamendësuarit dhe të papërgatiturit, kanë të ngjarë që të pësojnë e të dështojnë, thoshte ai. Jetoi në piedestalin e dijes, në piedestalin e shkencës, në piedestal të kulturës, mu aty ku drejtohet dhe zhvillohet ardhmëria e një vendi, ardhmëria e një shoqërie, ardhmëria e një kombi dhe ardhmëria e mbarë njerëzimit.

 

Ali Selmani edukoi dhe përgatiti shumë breza, të cilët sot japin kontributepa dhe rezultatet do të jenë edhe më të larta, në shumë fusha e dimensione. I tillë ishte ai, i tillë lindi e u rrit dhe u krijua në gjirin familjar, i tillë mbeti deri në momentin fundit të jetës së tij, shumë të bujshme dhe të mbushur me shumë vepra shkencore, vepra të ndryshme, me poezi e prozë dhe me tekste shkollore në lëndën e gjeografisë. Me punën edhe respektin që pati, si në universitet, si në grupin shkencor, brenda dhe jashtë shtetit në Ballkan, Evropë, SHBA dhe kudo, ai çdoherë u shpërblye me shumë mirënjohje dhe shpërblime të ndryshme.

Pas krejt asaj madhështie, në moshën 66 vjeçare, më 3 tetor 2011, u nda nga jeta e tij e bujshme, për të lënë mbrapa amanete e shumë porosi, për të gjithë breznitë, por edhe pa dallim nacionaliteti dhe besimi. Të mirat edhe kontributet e tij i shfrytëzojnë gjitha gjeneratat, ata që i shtrojnë për detyrë vetes, të merren me shkencë. Prof. Dr. Asllan Selmani, do të mbetet për jetë në shkollë, në universitet dhe në piedestalin shkencor, si demograf e hartograf ndër më të njohurit në Ballkan.

I PËRJETSHËM MBETET KONTRIBUTI I PROF. DR. ASLLAN SELMANIT NË SHKENCË KULTURË, NË PUBLICISTIKË DHE NË LËMI TË NDRYSHME SHOQËRORE.

RESPEKT

QEMAL MUSLIU     Fol.mk