Të paktën 80 persona, shtetas turq, po strehohen sot në Kosovë për shkak të përndjekjes nën akuzat se ata i përkasin lëvizjes së hoxhës turk, Fethullah Gulen, i cili jeton në ShBA.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ solli intervista me tre nga këta persona që ndihen të rrezikuar nga përndjekja e Turqisë pas tentim- puçit që ndodhi atje në vitin 2016.

Edhe pse ata po strehohen në Kosovë, kanë kërkuar që identiteti dhe profesioni i tyre të mbetet i fshehur për shkak të rrezikut që ndjejnë.

Njëri nga të intervistuarit, për të cilin mund të zbulojmë vetëm se është shërbyes civil, tha se në Turqi nuk të duhen shumë arsye për t’u arrestuar dhe për këtë arsye ndihet i rrezikuar.

“Është puç krejtësisht i trilluar dhe i organizuar nga Erdogani. Të gjithë kundërshtuesit e Erdoganit janë përjashtuar nga puna, janë burgosur dhe janë bërë viktima me arsyetimin e mbështetur në këtë puç të trilluar”, tha ai.

Ai po ashtu tha se arsyeja pse ai dhe shokët e tij kanë zgjedhur Kosovën për t’u strehuar është afërsia kulturore dhe lëvizja e lirë në Kosovë.

Një tjetër shtetas turk që kishte qenë zëvendësdrejtor në një shkollë të Gulenit, tregoi se si ishte arrestuar në Turqi dhe si arriti të vijë në Kosovë, ku po qëndron tash e një vit.

“Në Turqi jam marrë në paraburgim, pastaj jam lëshuar pasi në shtëpinë time nuk gjetën asnjë provë që më lidhje me lëvizjen guleniste. Nuk kam menduar që në Kosovë lëvizja Guleniste do të konsiderohej terroriste, kur nuk ishte shpallur e tillë”, tha ai.

Për “Jeta në Kosovë”, foli edhe një pensionist nga Turqia, i strehuar në Kosovë, po ashtu i përndjekur.

Ky edicion po ashtu solli një debat ndërmjet autorëve dhe historianëve, Hajro Limaj nga Shqipëria dhe Jusuf Buxhovi nga Kosova lidhur me strategjitë e këtyre dy shteteve karshi tensioneve Lindje-Perëndim.