Nga: Kolec Cefa

Lexova me dëshirë e vëmendje artikullin “Përse Ismail Kadare nuk vlen të fitojë asnjëherë çmimin Nobel për letërsinë”, por më ngjalli një shije të hidhur, një mbresë të pakëndshme, një ide negative, prandaj u ula të paraqes mendimin tim modest.

Në artikull shkruhet me gjuhë emocionale negative, pa iu dridhur stilografi në duar: “Mendoj se Kadare ka rënë në kurthin e ideve raciste njëlloj si Gjergj Fishta personalitet i famshëm katolik shqiptar… në Kongresin e Manastirit në të cilin ishte dhe drejtuesi kryesor i Kongresit”. Shkruhej vetëm për Fishtën, i cili karakterizohej si racist e nacionalist. Meqë fjala ka edhe kuptime e përdorime të ndryshme, këtu po përpiqemi të interpretojmë mendimin e autorit, megjithëse një ndjenjë latente që fryn në artikull, lehtëson kuptimin. Por nuk mund të kuptojmë si mund t’i thuhet një meshtari katolik racist, kur vetë Zoti, të cilit i shërben me përkushtim, nuk njeh e nuk pranon kurrë një dallim racor.

Fishta racist, pra, Fishta që frymëzon, ndezë e ushqen flakët e përbuzjes, urrejtjes, e luftës midis kombit shqiptar e kombit sllav. Fishta ka shkruar edhe vargjet: “Zoti n’qiell e na mbi tokë/ me gjithkënd vëllazën e shokë/ por secili n’cak të vet”.

Asnjë element në Shqipëri nuk e njeh më mirë dhunën sllave, më fort se françeskanët shqiptarë, të cilët kanë jetuar nder malësorë, kanë provuar përndjekjen sllave, madje edhe kanë luftuar me ta, si në kryengritjen e Dedë Gjo Lulit; kanë dhanë jetën, si Gjeçovi, Pader Luigj Paliq, kolegë e bashkëvëllaznit e Fishtës (Ata kurrë mos u harrofshin/ n’kangë e n’valle por u këndofshin).

Famullitarët e fshatrave kufitare kanë qenë të porositur prej Kryeipeshkvit, Serreqit, Imzot Doçit, Provincialit edhe të raportuar edhe “me shkrue për dhunën sllave” (për më gjatë, shih veprën time “Kur e vërteta flet ndryshe”).

Çohet një shtet e përgatit një ushtri, i pajisur me armatimet e kohës, me komandantë shqiptarë, e pa pritur e pa kujtuar, natën, hynë fshehtas në malësitë tona të befasueme e të trondituna, ku grabisin e plaçkisin, keqtrajtojnë e përdhunojnë, djegun e pjekun, sidomos pleq e therin me bajonetë deri fëmijë në bark të nanës. Del një meshtar e shkruen plot zjarr për të ndezë ndërgjegjen patriotike e për ta mbajtun të ndezun atë, ban thirrje me u ngritë në kryengritje kundër anmikut shekullor e quhet racist, nacionalist i egër, pra, që ndezë përçmim ndaj anmiqve, si përkrahës racor, ndonëse poeti meshtar shkruen: “E n’kjoftë se lypet prej Hyjnueshmes Mëri/ flije të bahet ndoj shqyptar m’therore/ qe mue tek m’keni/ merrni e m’bani fli/ per Shqyptari, me shue çdo m’ni mizore”.

Ndërsa një studiues shkruen: “… Po të krahasojmë veprat e Gjergj Fishtës me veprat e Ismail Kadaresë kanë një karakteristikë të përbashkët nacionalizmin ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuem).”

Por, racizmi nuk justifikohet edhe sikur t’i përgjigjemi me të njajtën gjuhë. Racizmi mbetet racizëm! Edhe nacionalizmi (me kuptimin e keq të fjalës) mbetet nacionalizëm. Kështu, autori na paraqet Fishtën racist e nacionalist të verbër.

Një lapsus: Autori shkruan se Fishta ka qenë kryetar i Kongresit të Manastirit, në fakt kryetar ka qenë Mithat Frashëri. E rregullon frazën ma poshtë, kur shkruan se ka qenë kryetar i Komisionit për alfabetin… “ që miratoi alfabetin” duhet që ka miratuar dy alfabete, se u miratuan dy alfabete, i Stambollit dhe alfabetin latin.

Po zgjatem: Akademikut, sidomos, nuk i ka hije të shkruaj me dy standarde, njëri në kohën e diktaturës e tjetri në tranzicion. Një herë fyen klerin katolik, herën tjetër heq fyerjet pa i kundërshtuar, madje duke mos e përmendur meritën e dokumentueme. Mendoj se duhet studiuar me objektivitet veprimtaria e Kongresit të Manastirit.

Lidhur me pjesëmarrjen e Fishtës në Dërgatën tonë për në Konferencën e Paqës, autori shkruan: “Është përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj sekretar i Delegacionit”.

Saktësojmë: Fishta (as Gurakuqi) nuk kanë qenë zgjedhur, caktuar a emëruar nga qeveria e Durrësit në delegacionin shqiptar as si anëtar, as si sekretar, as si ekspert. Edhe ma vonë, kur Kongres i Lushnjës ndryshoi përbërjen e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, nuk e caktoi Fishtën, madje ka pasur ndonjë protestë për Fishtën (e Gurakuqin) si personalitete të pacaktuar për përfaqësimin në Paris. Lexoni “Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920 v.II, f.41:” Zz Gurakuqi e Pater Fishta nuk i ka pasë emnue Kongresi i Durrësit më 1918… të çemnohen e të zëvendësohen”… Në Dërgatë ishin misët e Dërgatës e misët e qeverisë. .. Në të vërtetë, Fishta mori pjesë në Dërgatë dhe dha ndihmesë shumë të çmueshme. Imzot Bumçi, tue ndjekë zakonin e shoqnimit hierarkik, mori Fishtën me vete si sekretar personal, të cilin ma vonë në marrëveshje me qeverinë, e inkuadroi në punimet e Konferencës. Sidomos, kur Bumçi u ba kryetar, Fishta ka qenë me atributet sekretar e mandej ekspert. Në fakt, punën si sekretar e me shtypin e bënte Gurakuqi (ndonjëherë edhe Mustafa Kruja, i cili rrinte ma shumë në Shqipni). Më gjatë, lexo veprën time “ Nëpër gjurmët e Fishtës” f. 67-77).

Një moment biografik i eksplorueshëm për Fishtën asht se ku gjendej Fishta natën e 24 qershorit, kur Zogu u kthye në pushtet: a u fsheh, a iku, a u pajtue? Autori mbështetë pohimin se Fishta “ u vetarratis”. Ndërkohë, Papa drejtonte punët për paraqitjen e një ekspozite botërore për françeskanët. Për përgatitjen e pavijonit shqiptar qenë caktua P. Pal Dodaj, Fishta e P. Darragjati. Puna u pëlqye e Papa u dha dekoratën “Medaglia al Merito”.

Pra, Fishta jetonte në Romë. Dhe i vë vulën një letër e Fishtës (botuar nga Prof. Petrit Kotri, 1997) ku Fishta i shkruante Joklit: “… tuj u gjetë un në Romë – ku kam ndejë prej 1 nanduer 1924 der më 11 maj 1926.”

Kështu, Fishta mbetet: Poeti kombëtar e Nderi i Kombit; patriot i flaktë e eksponent shoqnor; lëvrues i gjuhës shqipe e frymëzuesi i idealeve “Fe e Atdhe”.