Pas publikimit të listës së investimeve në buxhetin e vitit 2019 te Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) ne Portalb.mk, në redaksisë tonë arritën reagime lidhur me neglizhencën e Ministrisë, për investim në shkollat që është e nevojshme ndërhyrja.

Një nga këto shkollat është edhe shkolla fillore “Rametulla Ameti” në Çiflik të komunës së Zhelinës, e cila para dy dekadave u ndërtua nga vetë banorët e fshatit dhe tani më një kohë të gjatë është në pritje të investimeve nga ana e MASH-it.

Drejtoresha e shkollës, Safije Rakipi thotë se deri më tani janë bërë kërkesa edhe në MASH edhe në komuna lidhur me investime, duke treguar edhe kushtet e mjerueshme në të cilat po funksionon kjo shkollë.

“Që nga 2017 jemi duke bërë kërkesë për investime në shkollën tonë. Nuk kemi hapësira, stafi teknik është vendosur në korridore, s’kemi zyre të mjaftueshme, tualetet kemi vetëm tre, të cilat i përdorin të gjitha nxënësit si dhe personeli drejtues, kemi mungesë të inventarin dhe shumë gjërave tjera elementare që nevojiten për funksionim. Më 28 gusht 2017 kemi nisur kërkesën pranë MASH-it ku i njoftuam lidhur me gjendjen tonë dhe nuk kishte përgjigje, kurse nga 2017 e deri më tani në komunë janë drejtuar 7 kërkesa për mjete investimi, por që gjithashtu nuk ka ende përgjigje”, tha për Portalb.mk, Rakipi.

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiutregon për Portalb.mk se pse nuk është investuar në këtë shkollë nga ana e komunës.

“Ne kemi projekt për investim në atë shkollë, por nuk kemi arrit të bëjmë asgjë gjatë vitit që lamë pas për shkak se MASH na i mori kompetencat. Tani jemi në bisedime me disa investitorë dhe me MASH lidhur me zgjidhjen e problemit në këtë shkollë dhe besoj që do të gjejmë mënyrën që të rregullohet kjo shkollë”, tha për Portalb, Sejdiu.

Ai tha se që nga marsi i vitit 2018 , sipas tij për shkaqe politike, komunës së Zhelinës dhe Gostivarit iu morën kompetencat nga MASH-i për afatin kohor prej 9 muajve.

Ndërkaq nga të dhënat e investimeve të MASH-ittë publikuara për buxhetin e këtij viti, nuk figuron kjo shkollë, që do të thotë që në 2019 nuk janë ndarë mjete për rinovimin e kësaj shkolle.

Ndryshe, në këtë shkollë ndjekin mësimin 150 nxënës, të ndarë në 4 paralele, në klasa normale dhe një mësojtore e vogël është krijuar për nxënësit e klasës së parë.