Gjykata Kushtetuese do ta rishqyrtojë mundësinë që e ka Drejtoria për Siguri për përgjim më të gjerë të komunikimeve. Gjykatësit ngritën procedurën për Nenin 175 të Ligjit për komunikime elektronike. Në seancën e sotme, gjatë diskutimit tre orësh, shumica e gjykatësve dyshuan në kushtetutshmërinë e këtij Neni. Ata arsyetuan se ky akt mundëson ndjekje të pakufizuar të komunikimeve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), pa kontroll përkatëse, ndërsa në këtë Nen nuk janë përcaktuar kushtet në të cilat lejohet ndjekja e komunikimeve. Nga ana tjetër, gjykatësit të cilët nuk shikojnë asgjë jokushtetuese në Nenin 175 thanë se ai ka të bëjë me obligimet e operatorëve të telekomunikimit për sigurimin e kushteve teknike për ndjekjen e komunikimeve. Sipas tyre, procedura se në cilat raste mund të përgjohet është rregulluar me Nenet tjera të ligjit për ndjekjen e komunikimeve dhe me ligjin për procedurë penale. Ndryshe, në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese miratoi një ndërhyrje me të cilën anuloi një dispozitë të ngjashme, e cila sërish është vendosur në këtë ligj. Iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Nenit 175 është parashtruar në vitin 2015, po atë vit kur LSDM-ja publikoi bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme, të njohura ndryshe si Bombat e Zaevit. Nga Gjykata Kushtetuese informuan se më së voni deri më 5 korrik do ta hartojnë zgjidhjen për këtë vendim të cilin do t’ia dorëzojnë Kuvendit i cili duhet të përgjigjet në afat prej 30 ditëve.

Adrian Kerimi