ASH në qeveri apo jo në qeveri …
Nga Bekim QOKU – ish deputet i Kuvendit
Pa moralizuar synimet dhe veprimet e ASH, një gjë, megjithatë, nuk e kuptoj dhe nuk e kam kuptuar, se përse nuk ka një bashkërendim më të mirë, më sistemor me njëra-tjetrën ASH dhe Alternativa.
Ç’është e vërteta, gjithmonë i kam parë të dyja këto parti si komplementare. Madje kam dhënë edhe angazhim personal që t’i shoh të dyja partitë bashkë.
Mos bashkërendimi dhe mos bashkëpunimi i tyre shkon në radhë të parë në dëmin e tyre (nëse heqim interesin kombëtar nga ekuacioni). Kështu ato po i bëjnë keq vetes së tyre. Thjesht absurde, infantile.
E pakuptimtë, deri në mazokizëm afërsia e secilës pre tyre me BDI-në, përpara se të afrohen me njëra-tjetrën.
Më keq sesa ASH të bëhet pjesë e qeverisë bashkë me Ali Ahmetin, është fakti, nëse me këtë akt detyrohet Alternativa të dalë nga qeveria.
Madje, kushti më i rëndësishëm i ASH për të hyrë në qeveri duhet të jetë mbetja me çdo kusht e Alternativës aty. Ato duhet patjetër të bashkëqeverisin. Bashkë peshojnë më shumë në raport me BDI-në.