Fjalimet e sotme të deputetëve nga foltorja e Kuvendit, për Propozim Ligjin për Inspektoratin për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, kishin veshur petkun e zgjedhjeve. Fjalën për këtë pikë të rendit të ditës e kërkuan 17 deputetë të VMRO-së. Opozita maqedonase dëshiron që ligji për Inspektoratin të mos votohet, deri sa të merren në formë të shkruar vërejtjet e Komisionit të Venecias për Ligjin e Gjuhëve.

Shtete e kulturuara ligjet i dorëzojnë në Komisionin e Venecias, kur ato janë propozim ligje dhe jo pasi miratohen. A është më me rëndësi që ai ligj të kalojë sot apo nesër, apo për sigurinë dhe standardet juridike, që na rekomandon Komisionin i Venecias. Pas rekomandimeve të cilat do të shndërrohen në amendamente të sillet i njëjti- deklaroi Antonio Milloshovski- VMRO-DPMNE.

Por, deputeti i LSDM-së, Kostadin Acevski, në replikën ndaj VMRO-së , tha se edhe po të ndodhë që Ligji i Gjuhëve të ndryshojë si rezultat i vërejtjeve të Komisionit të Venecias, kjo nuk do të ndikonte në Ligjin për Inspektoratin, pasi atje janë dërguar vetëm pika për bankënotat dhe uniformat e ushtrisë.

Propozim Ligji për Inspektoratin është në rend dita, dhe jo Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nëse vijmë deri tek ndryshimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve si rezultat i zbatimit të vërejtjeve të Komisionit të Venecias, ajo nuk do të ndikojë në propozim ligjin për këtë Inspektorat- tha Kostadin Acevski- LSDM.

Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, e quajti të paarsyeshme paraqitjen për fjalë të 17 deputetëve të VMRO-së dhe kërkoi që të njëjtët të tregojnë pjekuri, sepse siç tha, kjo klimë politike është edhe një nga arsyet pse Maqedonia nuk mori datë për bisedimet me BE-në.

Nuk ka të drejtë askush të flasë në emër të Komisionit të Venecias dhe  çështje të tjera, për shkak se ende nuk është publikuar, por dihet ajo se debate për Ligjin e Gjuhëve para se i njëjti të dërgohet në Komisionin e Venecias, ishte për bankënotat dhe uniformat, jo për çështjet tjera- tha Ejup Alimi- BDI.

Ziadin Sela i kundër replikoi deputetit të VMRO-së Ilija Dimovski, pasi ky i fundit tha se  qytetarët shqiptarë nuk shpërngulen sepse nuk kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre, por sepse s’ kanë kushte  elementare për jetesë. Kryetari Aleancës tha se fajin për këtë e ka edhe VMRO qe ka bashkë qeverisur me BDI-në.

Ju flisni për nevojat që kanë banorët shqiptarë për ndonjë fshat apo ndonjë vendbanim ku jetojnë. Po, e vërtet është. Ama po aq e vërtetë është se edhe ju jeni pjesë e mospasjes së shëndetësisë, arsimit, infrastrukturës, sepse keni qenë 10 vite në qeveri me BDI-në. Në Komision të Venecias u dërguan vetëm dy çështje, bankënotat dhe uniformat, për këto nuk ka vërejtje dhe bankënotat dhe uniformat duhet të implementohen- deklaroi Ziadin Sela-ASH. 

Ligji për Inspektoratin sot ishte në lexim të dytë në seancë plenare. Debati do të vazhdojë ditët në vijim, sepse sot fjalën e morën më pak se gjysma e deputetëve të paraqitur. /Alsat M/