Pothuajse dy javë pas hyrjes me dhunë të protestuesve në Kuvend, akoma nuk është bërë bilanci i dëmeve të shkaktuara në institucionin ligjdhënës. Sekretari i Kuvendit, Zharko Denkovski tha se procedura e vlerësimit të dëmeve ende nuk ka filluar, por pa sqaruar se kush dhe kur do ta kryejë këtë procedurë. Denkovski tha se për gjithçka do ta njoftojë opinionin në kohë, ndërsa hodhi poshtë zërat se natën e 27 prillit në Kuvend janë vjedhur artefakte dhe piktura me vlerë. Ndërkohë ekspertët sugjerojnë që bilancin ta kryejnë shërbimet e Kuvendit. Avokati, Oliver Vuksanoviç thekson se dëmi i shkaktuar në Kuvend është vepër penale që duhet ndjekur në mënyrë të veçantë. Ndërsa përgjegjësi për dëmin kanë organizatorët që qëndrojnë pas protestuesve, policët që nuk kanë kryer detyrën zyrtare si dhe ata të cilët me dhunë u futën në Kuvend./Alsat