Me gjithsej 62 vota “për”, pa asnjë kundër apo të përmbajtur, deputetët sot pasdite në lexim të tretë e sollën Ligjin për këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas Ligjit, Këshilli gjyqësor është organ i pavarur i gjyqësisë, e siguron dhe garanton pavarësinë e pushtetit gjyqësor, përmes realizimit të funksioneve të veta në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Sipas nenit 3 të Ligjit, ndalohet organizimi politik dhe veprimi në Këshill. Anëtarët e Këshillit në ushtrimin e funksioneve të Këshillit nuk guxojnë të realizojnë aktivitet partiak. Këshilli me punën e vet pamundëson ndikim politik ndaj gjyqësisë.

Kuvendi paraprakisht, në kuadër të seancës së 95-të solli edhe ligje të cilat presidenti Gjorge Ivanov paraprakisht me Dekret refuzoi t’i nënshkruaj.

Janë shqyrtuar edhe disa kërkesa për interpretime autentike.