Në Strugë dhe Ohër mungojnë kamerierë dhe kuzhinierë. Punëtorë të hotelerisë të këtyre dy qyteteve turistike, pikërisht tani në verë, mësyjnë Kroacinë për kushte dhe paga më të larta. Atje rroga për një kamerier, me ushqim dhe akomodim të paguar, janë nga 800 deri në 1100 euro!

Kuzhinierët marrin edhe më shumë. Një kuzhinier apo kryekuzhinier merr nga 1800 deri në 3000 euro! Këtë e pohon kuzhinieri Nikolla Petrevski nga Struga, i cili para 3 muajsh ka shkuar në Kroaci, ndërsa e ka mbyllur biznesin e tij në Maqedoni, përcjell TV21.

“Pagat për një kamerier me ushqim dhe akomodim të paguar variojnë nga 800 deri në 1100 euro, për një kuzhinier apo kryekuzhinier nga 1800 deri në 3000 euro. Numri është në rritje, sepse sipas meje kushtet këtu janë të ndryshme. Në të vërtetë, mund të jetë më e shtrenjtë për të jetuar, por gjithçka është ndryshe. Edhe unë po mendoj të rri këtu për të jetuar”, deklaroi Nikolla Petrevski, kuzhinier.