Liljana Kuzmanovska nga radhët e OBRM-PDUKM-së sot në konferencë për shtyp akuzoi LSDM-në për futje të shtetit në borxh pa nevojë. Ajo tha se Maqedonia po shkon drejt një bankroti të pakthyeshëm.

“Paaftësia e LSDM-së po e shkatërron shtetin. Ata vetëm për 100 ditë qeverisje kanë marrë borxh 350 milionë euro, para që do të duhet të kthehen nga qytetarët dhe fëmijët tonë. LSDM të martën do të merr borxh të ri prej 60 milionë eurove”, tha Kuzmanovska.

Ajo shtoi se qeveria e ka të ndaluar të futet në borxh pa mos ju treguar qytetarëve ku harxhohen ato para.

“Qytetarët kanë paguar 59 milionë euro që të punësohet vjehrra e Rashkovskit dhe të blehen mobilje të reja në kabinetin e të punësuarve të LSDM-së”, shtoi Kuzmanovska.

Ajo në fund tha se qytetarët më 15 tetor do t’i ndalojnë keqpërdorimet e LSDM-së dhe do ta dënojnë politikën e tyre.