Gazetar: Emir Hamzai

Gjykata Penale në Shkup, solli vendim përfundimtar për të ashtuquajturin ‘Grupi i Kumanovës’. U shqiptua burg i përjetshëm për tetë persona, ndërsa për 25 të akuzuar me 746 vite burg, kurse katër u liruan nga aktakuza për terrorizëm, ngjarje e cila u zhvillua në maj të 2015 në mes grupit të armatosur dhe forcave të sigurisë. Vendimi i ‘Grupit të Kumanovës’ në këto rrethana politike dhe në këtë kohë ku priten edhe reforma në gjyqësi, e bëjnë më të diskutueshëm rastin. Kështu thonë edhe ekspertët juridik për portalin Fol.

Profesoresha universitare, Besa Arifi për portalin Fol thotë se vendimi ndaj ‘Grupit të
Kumanovës’ është i mangët dhe me probleme juridike, pasi në hetim nuk përfshihen
ideatorët, urdhëruesit apo iniciatorët e rastit.

”Vendimin e Gjykatës Penale për ‘Grupin e Kumanovës’ e vlerësoj si të pjesshëm dhe me
probleme juridike, për të cilën pres që pala e mbrojtjes të ngrejë ankesë para Gjykatës
së Apelit. Mendoj se hetimi në këtë rast nuk ka qenë i gjithanshëm, që do të thotë se
është hetuar vetëm grupi, i cili grup e ka ndoshta atë përgjegjësi që flet vendimi. Është
i pjesshëm sepse në hetim nuk përfshihen edhe ideatorët, urdhëruesit apo iniciatorët e
incidentit, të cilët mund të mos jenë të njohur për opinionin, mirëpo që kanë pasur rol
kryesor në organizimin e kësa ngjarje.

Sa i përket hetimit ndërkombëtar, si reagim dhe kërkesë e partive politike shqiptare,
mendoj se duhet të sqarohet ky vendim. Ky vendim është i shkallës së parë, pasi ka tre
shkallë të procedurës penale, shkohet në Gjykatën e Apelit, nëse edhe këtu nuk ka sukses,
atëherë kalohet në Gjykatën e Lartë (Supreme). Kur shkohet në Gjykatën e Apelit për
ankesë, atëherë mundet që nëpërmjet një hetimi të mirëfilltë dhe më të zgjeruar që do të
kishte mundur ta bëjë policia në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, atëherë mund të
shikohen aspekte tjera të rastit, të cilët mund të mos ishin marrë parasysh gjatë
sjelljes së vendimit të shkallës së parë. Për shkak se aktakuza e cila është bërë për
këtë rast, është bërë shumë më herët, edhe atë në vitin 2015, prej kur ka filluar rasti
të shqyrtohet, gjegjësisht kur kishim rrethana tjera politike në vend”, thekson Arifi.

Ajo më tej shton se me një vullnet për të pasur një hetim të zgjeruar, mundet që në
shkallë të dytë, rasti të kthehet në rigjykim ose të mbahet seancë plotësuese përpara
Gjykatës së Apelit, ku do të mund të nxirren edhe fakte të reja, i cili mund të përfshijë
edhe disa raste të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër edhe ekspertja dhe njëherit profesoreshë pranë Fakultetit juridik, Arta Bilalli-Zendeli vlerëson se dënimet e shqiptuara janë jashtëzakonisht të larta dhe vijnë në një kohë kur qytetarët presin reforma në gjyqësi!

”Duke pasur parasysh se ky gjykim u zhvillua nga po ata gjykatës që e gjykuan dhe vendosën për rastin “Monstra” dhe NUK GJYKUAN shumë raste tjera flagrante, me keqardhje konstatoj se pritej një vendim dënues apo kondemnator, por jo me dënime kaq të larta. Gjykimet gjithnjë e më tepër, na bëjnë të kuptojmë se gjykatësit dhe prokurorët, herë-herë janë shumë të kujdesshëm dhe mbajnë llogari për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, e në një rast tjetër, ata shndërrohen në ithtarë të tendencës së efikasitetit dhe i marrin të gjitha masat që të krijojnë një percepcion se janë efikas, e luftojnë krimin dhe dënojnë. Por, gjykatësit dhe institucionet e tjera të jurispodencës e harrojnë atë kryesoren: harrojnë se parimi i drejtësisë dhe drejtshmërisë janë dy parime për të cilët, ata duhet të jenë në krye të detyrës.

Duke pasur paraysh se ky aktgjykim do t’i nënshtrohet apelimit, uroj dhe shpresoj që
gjykata e shkallës së dytë, të vihen në shërbim të drejtësisë dhe drejtshmërisë.

Sipas Kodit penal të Maqedonisë, dënimi me burgim zgjatë nga 30 ditë deri 20 vite. Nëse
për veprën e kryer, parashihet dënimi me burg të përjetshëm, gjykata mund të shqiptojë si
substitut dënim prej 40 vitesh”, potencon Zendeli.

Në lidhje me kualifikimin e veprës dhe dënimin e lartë, Zendeli sqaron se për veprën
penale “terrorizëm” nga neni 394-b, sipas Kodit penal parashihen: paragrafi 1. (Forma
themelore) – minimum 10 vite burg ose burg i përjetshëm; paragrafi 2.(kanosje serioze) –
minimum 8 vite; paragrafi 3(nxitje apo thirrje publike për terrorizëm)- 4-10 vite burgim;
paragrafi 4 (detyrim i tjetrit për të kryer veprime terroriste)-4-10 vite burgim;
paragrafi 5 (marreveshje me tjetrin)-4-10 vite; paragrafi 6(organizim,pergatitje,etj)-
minimum4 vite; paragrafi 7. ( me vjedhje të rëndë pajiset me mjete për terrorizëm)-
minimum 4 vite. Poashtu te vepra e nenit 394-a “Organizatë terroriste” parashihen dënime të rënda, si minimum 8 vite, 4-10 vite,etj.

Edhe profesori Bekim Kadriu për Fol dyshon te puna e Gjykatës Penale, pasi sipas tij, gjatë procedurës hetimore është cënuar parimi i kontradiktës, domethënë të dyja palët janë të barabarta në procedurë dhe mund të propozojnë prova. Poashtu, thotë ai,
është cënuar edhe e drejta e mbrojtjes së të akuzuarve.

”Ajo që është dyshuese te puna e Gjykatës Penale se, një pjesë e madhe e provave nga ana e mbrojtjes nuk kanë qenë të pranuara. Mendoj që është cënuar parimi i kontradiktës,
domethënë të dyja palët janë të barabarta në procedurë dhe të propozojnë prova. Poashtu
është cënuar edhe e drejta e mbrojtjes së të akuzuarve, për shkak se gjykata nuk dashur
të nxjerrë prova që, pala mbrojtëse e ka parë të arsyeshme me qëllim që të zbardhet e
vërteta në mënyrë objektive, ashtu siç definohet edhe në drejtësi, të konstatohet gjendja
faktike.

Pa u konstatuar gjendja faktike në mënyrë objektive, domethënë gjithçka që është
e ndërlidhur me rastin, është vështirë të themi se ky është një vendim i drejtë. Poashtu
një aspekt tjetër që duhet përmendur, është kualifikimi i veprës, pasi vepra është e
kualifikuar si vepër e rëndë, pasi për akuza si ‘terrorizëm’, ‘organizatë terroriste’,
natyrisht se parashihen dënime të rënda. Nuk është problemi i shqiptimi i dënimeve, sepse
ato kanë qenë në suaza të ligjit, mirëpo kualifikimi i veprës si e tillë ka detyruar
gjykatën që të shqiptojë vendime të rënda, për shkak se vepra e tillë edhe parasheh
dënime të tilla”, potencon Kadriu.

Ai më tej thotë se, ky është vendim i shkallës së parë dhe nuk është i plotfuqishëm dhe
Gjykata e shkallës së dytë, duke pasur parasysh rrethanat, mund ta kthejë rastin në
rigjykim.

”Të gjitha të dhënat në këtë periudhë, duke përfshirë edhe të dhënat që eventualisht
mund të dalin nga ndonjë hetim ndërkombëtar, mendoj se do të jenë shumë të mirëpritura
dhe do të ndikojnë që të sillet një vendim i drejtë. Madje, edhe nëse vendimi bëhet i
plotfuqishëm, siç e kishim rastin me ‘Sopotin’, mirëpo kur paraqiten prova të reja,
gjithmonë mund të ndikojnë në përsëritjen e procedurës, edhe pse ka kaluar një kohë e
gjatë, opinioni dëshiron ta dijë të vërtetën”, shton Kadriu.

Luftimi dyditësh në maj të vitit 2015, shkatoi vdekjen e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe dhjetë personave të grupit të armatosur në Kumanovë. Grupi që atëherë deklaroi se, kjo revoltë erdhi pasi, sipas tyre, vazhdojnë të shkelen ende të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Sqarim: Në pjesën e dytë të temës, do të trajtojmë rastin e ‘Grupit të Kumanovës’ në këndvështrimin politik dhe reagimin e partive politike, edhe atë nëse ky rast është tërësisht i motivuar dhe i montuar politikisht. /Fol/