Ambasada e Turqisë ka ngritur padi në Prokurorinë kompetente ndaj personit E. A., i cili posedon edhe shtetësinë e Maqedonisë, për fyerje ndaj Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Në deklaratën me shkrim nga Ambasadë e Turqisë në Shkup thuhet se “Personi E. A. i cili posedon shtetësinë e Maqedonisë dhe Turqisë, në llogarinë e tij në median sociale ka përdorur shprehje që dëmton reputacionin e Turqisë dhe presidentit Erdogan”.

Në deklaratë thuhet se ndaj personit në fjalë është ngritur padi për përdorim fjalësh “përqeshëse”, “fyese” dhe “të papërshtatshme” ndaj Turqisë dhe presidentit Erdogan. “Duke i marrë parasysh edhe marrëdhëniet e afërta dypalëshe mes Maqedonisë dhe Turqisë, i propozojmë Prokurorisë kompetente të dënohet i dyshuari ndaj të cilit është ngritur padia”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkaq, ambasadorja e Turqisë në Shkup Tulin Erkal Kara në deklaratën e saj në lidhje me këtë çështje tha: “Prokurorët e nderuar të shtetit mik dhe vëllazëror, Maqedonisë, njëlloj sikur për vendin e tyre, edhe ndaj fyesve të udhëheqësve të shtetit tonë kanë hapur proces gjyqësor pas ankesës sonë”. Kara theksoi se avokatët e ambasadës do ta ndjekin nga afër procesin gjyqësor.

“Jemi të bindur se personi në fjalë do ta marrë dënimin e merituar. Njoftimi në lidhje me këtë proces bëhet me qëllim që tani e tutje t’i paralajmërojmë autorët potencialë të këtij lloji të paturpësive”, u shpreh më tej ambasadorja Kara.