ArtaOpinion:  Prof. Arta Toçi

Në shoqërinë tonë njerëzit janë shumë të politizuar dhe kjo nuk ndodh nga fakti se ata e njohin politikën por është politika ajo e cila është futur thellë në të gjitha poret e jetës, në rrugë, në vendin e punës, në media, në kulturë, në sport, ajo madje është futur në familje duke t’a diktuar buxhetin familjar. A thua për këtë është shkak politika në vend, politikani apo njerëzit të cilët emërtojnë liderë dhe krijojnë idhuj të cilit as vetë lideri nuk i beson.  

Maxwell (2014) e definon liderin si personi që e din qëllimin, të tregon cili është qëllimin dhe synon t’a arrijë atë qëllim. Aspekti pragmatik i këtij definicioni është se lideri është personi i cili shkon rrugës së drejtë dhe i merr me vete edhe të gjithë ata të cilët i besojnë, ku në rastin e sistemeve demokratike, do ishin të gjithë votuesit e një partie.  Në mes tjerash Odemegiu (1989) thekson se lideri është njeriu i cili bën sakrifica për popullin e vet. Ai nuk ankohet kur gjërat nuk shkojnë sipas parashikimeve por gjen zgjidhje për ato. Lideri nuk guxon t’a rrezikojë të ardhmen e popullit por është njeriu i cili është aty për një të ardhme më të mirë. Ajo që e rrezikon poziten e liderit dhe që në karierën e tij/saj është më kundërproduktive është korupcioni. Lideri duhet të ketë vlera të larta intelektuale dhe të imponohet pikërisht me këto vlera.

Në teori një lideri duhet të jetë i këtillë por cilat nga keto teori shkencore i përmbush një lider shqiptar në Maqedoni?

Lideri që e din cili është qëllimi-Me qëllim që të bëhet lider, ai vendos qëllime të larta të cilat shpesh, jo vetëm populli por as ai vetë nuk i kupton dhe gjithashtu është i vetëdijshëm se ato janë të paaritshme. Pa përjashtim, ato kanë të bëjnë me çështjen e të drejtave të shqiptarëve dhe lideri, në forme paqësore apo edhe me luftë, promovohet si supernjeri që një herë e përgjithmonë do gjejë zgjidhje për problemet e tyre.

Lideri që të tregon se cili është qëllimi-Fushatat parazgjedhore janë takimet e vetme me liderin, edhe pse largë dhe pak më lartë se ‘populli’, ai me zë të lartë i promovon idetë dhe nëse ka, ai e prezanton edhe programin partiak. Por, lideri e din mirë se këto qëllime nuk arrihen pa popullin, si ne luftë dhe në paqe, prandaj vendos që në këto takime të bëhet pjesë e popullit.

Lideri që synon t’a arrijë qëllimin-Liderët tanë të deritanishëm, me luftë apo me mjete paqësore, e kanë arritur qëllimin e vet. Ata nuk përballen me gjendjen reale të popullatës dhe standardin e ulët të familjeve shqiptare në Maqedoni. Dhe, në vend që lideri të sakrifikohet për popullin, për t’i arritur qëllimet e veta, ai e sakrifikon atë.

Ajo që e rrezikon poziten e liderit dhe që në karierën e tij është më kundërproduktive është korupcioni-fenomen i njohur në vendet multietnike në Afrikë, si në Kenia dhe Niger, ku me vendosjen e sisemit shumëpartiak, etnite participante në qeverisje, korruptohen lehtë në emër të mbrojtjes se të drejtave te etnive që ata përfaqësojnë. Në këtë kontekst, korrupcioni është karakteristikë e vendeve me demokraci të brizhtë, ku shumica manipulon lehtazi me pakicën duke e korruptuar atë. Në këtë betejë për t’u korruptuar, shpesh ndodh që pozita dhe opozita e pakicës të bëjnë komplote të përbashkëta dhe në bashkëveprim t’i arrijnë qëllimet e liderëve.

Lideri duhet të ketë vlera të larta intelektuale dhe të imponohet pikërisht me këto vlera-Njëra ndër cështjet më delikate dhe më të dhimshme në Maqedoninë e shekullit të XXI është pikërisht intelektualizmi i liderit. Egziston thënia se nje popull e ka lidershipin që e meriton dhe duke e njohur popullin për së afërmi, sidomos një numër të madh të të rinjëve më të cilët e kaloj pjesën më kualitative të jetës, ajo që u tha më lartë është e kontestueshme. Të rinjtë karakterizohen me intelektin, kulturën, vizionin, ata bëjnë diferencën me liderët politik, madje lideri shërben si shembull që nuk duhet ndjekur. Dhe, kur dihet se rinia është e ardhmja, asaj duhet siguruar një të ardhme më dinjitoze, me njerëz të cilët e dijnë se c’është emaili, c’është R&B, c’është teatri, e dijnë se një film shqiptar nominohet për Oscar. Atyre iu duhen njerëz të cilët nuk janë mbyllur në guacën e partisë për t’i lënë në stand-by të gjitha zhvillimet në shkencë dhe në shoqëri duke krijuar një hendek të madh mes të ardhmes dhe të shkuarës të cilës lideri dhe njerëzit e tij i takojnë.

Lideri shqiptar ne Maqedoni te befason cdo moment edhe  gjate ditës së sotme më bëri edhe shumë befasi. Madje më bëri të mendoj për njerëzit të cilët më herët e kishin demitizuar rolin e liderit dhe e kishin rrënuar pushtetin e idhullit që e kishim ndërtuar së bashku. Ata më herët e kishin kuptuar, jo se ishin më të mencur, por ata ishin më afër liderit, dhe sa më afër që e kishin aq më largë iknin. Sot nuk munda t’i iki një pyetjeje që herë-herë më paraqitej si shkëndi të cilës i ikja dhe e ureja idenë perverze që po më paraqitej gjithnjë e më shpesh, ky lideri i shqiptarëve të Maqedonisë a thua vërtet është shqiptar?

(Autorja është Kryetare e Asamblesë së Femrës në LR PDSH)