Bekim Berisha është krenaria e Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës. Është ushtari i vetëm i dekoruar nga tre presidentë dhe për artin e tij luftarak flitet edhe sot, 19 vjet pas vdekjes. Mediat kroate kohë pas kohë publikojnë shkrime ku lartësojnë figurën e tij. Një nga shkrimet e fundit është ai i portalit kroat dnevne.hr.

“Kroatët e quanin atë “shok” gjersa në Kosovë, njihej si “Abeja”. Në fakt, emri i tij ishte Bekim Berisha. Aftësitë e tij të luftës i ka dëshmuar në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, ku edhe vdioq 19 vite më parë. Këtë trim shqiptar banorët e Banovinës e kujtojnë edhe sot, ndërsa guximi Bekim Berishës i kishte bërë përshtypje e presidentit të parë kroat Franjo Tugjman”, nis rrëfimin kjo e përditshme.

“Ky luftëtar vlen sa 1000 ushtarë” – kishte thënë Tuxhman për Berishën, shkruan dnevene.hr, transmeton InfoPress.

“Berisha është një nga ushtarët më të mirë dhe më të besueshëm që kam takuar ndonjëherë”, – e vlerësoi gjenerali Janko Bobetko.

Ushtari i vetëm që u dekorua nga tre presidentë

Bekim Berisha ka lindur më 16 qershor 1966 në Graboc, Pejë.

Kosova atij ia ka ngritur tetë përmendore, me emrin e tij quhet Akademia ushtarake e Ushtrisë së Kosovës, një kazermë ushtrie dhe një garnizon në Prishtinë, si dhe për të janë kompozuar shumë  këngë. Ai është po ashtu është i vetmi personalitet që është dekoruar nga tre presidentë, ai kroat, kosovar dhe shqiptar.

Siç shkruan portali kroat, Bekim Berisha ishte i ngritur dhe ka folur pesë gjuhë. Ai ishte pjesë e tri luftërave në Ballkan e të cilat kishin një armik të përbashkët Serbinë.

Bekim Berisha, në Kroaci kishte arritur në gusht të vitit 1991 dhe që nga atëherë për 539 ditë ishte pjesëtar i Ushtrisë Kroate. Në vitin 2013 nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, është dekoruar me medaljen e artë.

Bekim Berisha është dekoruar edhe nga ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu me urdhrin heroi i kombit.

Ai u vra më 10 gusht 1998, në betejën e Junikut mes forcave të policore dhe ushtarake të Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Gazeta InfoPress