Afati i skadencës së patentë shoferit për shoferët më të rritur në moshë do të vazhdohet nga 70 në 75 vjeç, ndërsa parashihet edhe masë e marrjes së përkohshme të automjetit që shkakton zhurmë shumë të lartë, i cili e prish rendin dhe qetësinë publike të qytetarëve, si edhe për automjetet me afat të skaduar të lejes për qarkullim prej gjashtë ose më shumë muajve.

Këtë dje në seancë e miratoi Qeveria së bashku me harmonizimet në pjesën e politikës ndëshkuese në Ligjin për Siguri në Trafikun Rrugor i cili parashikon ulje të konsiderueshme të dënimeve. Ato do të sillen nga 15 euro deri në 250 euro si kufiri më i lartë, përveç kundërvajtjeve të cilat e rrezikojnë jetën e njeriut të cilat mbeten të njëjta, si dhe shfuqizohet urdhëresa pagesore me mandat, gjegjësisht të gjitha urdhëresat pagesore do të jenë për kundërvajtje.

Gjithashtu rregullohet edhe pjesëmarrja e monopatinave elektrike në trafik me qëllim që të mbrohen ata që i drejtojnë ato, por edhe për t’i mbrojtur qytetarët me dispozita që nënkupton përcaktimin e vendit për qarkullimin e monopatinave, kufirin e moshës për drejtimin e këtij lloji të automjetit, si dhe detyrimin për të përdorur pajisje mbrojtëse.