Arbër Çeliku

Hapësira jonë vepruese tashmë karakterizohet nga mungesa e njërës ndër vetitë më elementare njerëzore, që është TURPI.

Si rrjedhojë, paturpësia është kthyer në formën tonë kryesore të jetesës. Ne lindim, rritemi dhe vdesim në konturat e paturpësisë. Rinisë si shembull i ofrohet paturpësia, mosha e pjekur detyrohet t’i mbyllë sytë përpara saj, madje edhe t’i duartrokasë dhe glorifikojë atë, kurse pleqnia lidh martesë me të. Kështu, krijohet një zingjir paturpësie, i cili në lëvizje vë një makineri, e cila burim energjie e ka marrëzinë. Dhe, më tragjikja, marrëzia trajtohet si MENÇURI kolektive.

Sa më i pafytyrë të jetë një politikan, një klerik fetar a një figurë publike, aq më i mençur rezulton të jetë në perceptimin kolektiv. Kjo klasë pafytyrshash, që për ironi të fatit, po mban shtetin dhe pushtetin, ka krijuar një hierarki të fuqishme paturpësie, duke filluar nga intelektualët, opinionistët, klerikët fetarë dhe deri te njerëzit e rëndomtë, të cilët kanë dhënë betimin se do t’i qëndrojnë besnikë deri në vdekje asaj.

Si përfundim, në ambientin ku ne jetojmë, edhe po nuk je i pafytyrë, më e leverdishme është të shtiresh si i tillë. Dhe shumica e bëjnë, mund të mos jenë pafytyrsha, por SHTIRËSA të pashoq po se po. Në rrethin e parë të shtirësave vijnë shumica e atyre që kanë tituj shkencorë, pastaj klerikët fetarë, opinionistët dhe kështu me radhë. Secili ka një rol të caktuar në këtë hierarki të përkryer dhe shpërblehen për të.

Të gjithë këta, pasi tashmë janë bindur se paturpësia është fituesja absolute mbi ne, i binden asaj dhe vazhdojnë të jetojnë me moton: MË MIRË PRANË PATURPËSISË DHE BARKNGOPUR SË SA NORMAL DHE BARKBOSH. Kurse paturpësia në vazhdimësi e ngushëllon veten: I PAFYTYRË SE I PAFYTYRË, KRYESORJA T’I DAL NË FUND, LE TË SHKOJË SA TË SHKOJË.

Dhe çuditërisht, po shkon lëmueshëm, sa vetë ajo nuk mund ta besojë. Dhe paturpësia është grua e re, e bukur dhe lozonjare, të josh sa të bën për pesë pare! Është thuajse e pamundur ta ruash fytyrën në botën e të pafytyrshmëve, megjithatë ia vlen…