Lavrov: Shqiptarët, minoritet në Maqedoni

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka bërë disa komente për situatën në Ballkan dhe rritjen e ndikimit rus në rajon, siç cilësohet kjo gjë nga perëndimi. Në një leksion të zhvilluar me oficerët e Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë ai ka cilësuar se “shumë gjak rus është derdhur në Ballkan”, duke nënvizuar se konsideratat për ndikimin rus në fakt injorojnë një histori të vjetër marrëdhënies.

“Ballkani është një rajon, të cilin Perëndimi për arsye të panjohura e sheh si një fushë veprimesh provokuese të Rusisë. Dhe këtu Perëndimi prapë po i trajton këto çështje me një logjikë të papërshtatshme, të cilën e përdor edhe në trajtimin e hapësirës postsovjetike: “ose me ne ose kundër nesh”. Çdo marrëdhënie normale midis Rusisë dhe vendeve ballkanike bëhet menjëherë objekt i një shqetësimi të madh që shprehet nga politikanët në deklarata të tilla si “Rusia po futet tani në Ballkan”. Shumë njerëz nuk e dinë historinë, pra për ata kjo është e falshme. Sa shumë gjak rus është derdhur në Ballkan! Le të lihet kjo në ndërgjegjen e tyre. Ne nuk kemi aspak frikë nga qasjet e tilla. Po e shohim një përputhje interesash themelore në çështje të shumta midis nesh dhe vendeve të rajonit. Kjo paranojë, që shfaqet te Perëndimi për shkak të ruajtjes së lidhjeve normale miqësore mes Rusisë dhe partnerëve të saj të hershëm në Ballkan, vërtetohet qartësisht nga qëndrimi i BE-së ndaj Qendrës Humanitare, të cilën e kemi themeluar bashkë me Serbinë në qytetin e Nishit. Është një qendër ku ndodhen pajisje përkatëse për operacionet humanitare dhe ku avionët tanë, që marrin pjesë në shuarjen e zjarreve, mund të furnizohen me karburant. Perëndimi po bën çmos, duke e penguar udhëheqjen serbe, me qëllim që kjo qendër të mos kthehet në një qendër rajonale, që vende të tjera të mos angazhohen në punën e saj dhe që nëpunësit e qendrës të mos përfitojnë nga privilegjet dhe imuniteti që u takojnë atyre si nëpunës të një institucioni ndërkombëtar. Dhe e gjithë kjo po ndodh pavarësisht nga fakti se në disa vite të fundit Rusia, pikërisht nëpërmjet kësaj qendre, i ka ndihmuar shumë vende të BE-së në shuarjen e zjarreve në territoret e tyre. Kjo madje është e pahijshme të përdoresh shërbimet e një strukture, për të cilën synon në çdo mënyrë të krijosh pengesa dhe vështirësi.

Situata në Maqedoni tani është shumë e ndërlikuar për shkak të një krize të thellë të provokuar në masë të madhe artificialisht. Po bëhen përpjekeje për të përçarë shoqërinë maqedonase dhe për të shkelur ato marrëveshje që janë arritur përpara shumë vitesh në Ohër dhe që i kanë dhënë minoritetit shqiptar të drejta mjaft të gjera në kuadër të shtetit maqedonas. Meqë ra fjala, në atë kohë ne u shprehëm se do të dëshironim që Bashkimi Europian të mbështeste të drejtat përkatëse për minoritetin shqiptar në Maqedoni, si dhe të përkrahte dhënien e të drejtave identike ndaj rusëve që jetojnë në vendet Baltike. Por BE-ja e refuzoi me turp. Ndërsa tani po përpiqen ta godasin këtë marrëveshje. Shpresoj se Perëndimi kupton se sa të rrezikshme janë përpjekje të tilla, por nuk po gjen dot forcë për t’i kundërshtuar. Ne me maqedonesit në të vërtetë kemi marrëdhënie të hershme dhe shumë të mira. Po të mos ishte kjo krizë, ne do të mund të bënim një punë të dobishme pa u shpërqendruar nga hallet e politikës së brendshme”, tha Lavrov. Fjalë e shpërndarë nga ambasada ruse në Tiranë i cilëson shqiptarët minoritet në Maqedoni, ndërkohë që nga shqiptarët ka pretendim për statusin e elementit shtetformues.