Një tjetër lëkundje tërmeti është regjistruar në Itali, rreth orës 13.54 të së dielës.

Lëkundjet sizmike vazhdojnë të krijojnë ankth tek banorët e zonave të prekura nga tërmetet në Italinë qendrore.

Edhe këtë herë tërmeti ka pasur epiqendër në Macerata, një nga zonat më të dëmtuara nga lëkundjet e forta që kanë nisur që në muajin gusht.

Siç shkruajnë mediet e vendit fqinjë, kushteve të vështira në të cilat jetojnë banorët e zonave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme të gushtit dhe tetorit të mbetur të pastrehë, u shtohen edhe temperaturat e ulëta të këtyre ditëve, që e bëjnë situatën edhe më të rënduar.