Tanku Leopard 2 i prodhimit gjerman është ndër armët që Ukraina po kërkon nga Perëndimi për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Çfarë lloj tanku është dhe pse po e kërkojnë ukrainasit?

Është një mjet luftarak që është në përdorim që nga viti 1979. Ka një distancë prej 500 kilometrash dhe shpejtësia maksimale është 68 kilometra në orë. Ka një top 120 mm dhe dy mitralozë të lehtë, shkruan The Guardian.

Përveç përdorimit nga ushtria gjermane, përdoret edhe në shumë vende të tjera. Është përdorur në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Afganistan dhe Siri.

Pse e kërkojnë ukrainasit?

Ukrainasit pretendojnë se u duhen urgjentisht tanket për të vazhduar mbrojtjen e tyre kundër agresionit rus. Shumica e tankeve që ata kanë aktualisht janë nga epoka sovjetike ose post-sovjetike.

Në Ukrainë, ata kanë frikë se Rusia do të nisë një ofensivë të re në muajt e ardhshëm dhe besojnë se lufta do të përfundojë më shpejt nëse ata janë fitimtarë në kundërsulmin e ardhshëm. Problemi është se ata tani po përballen me tanket më moderne dhe më të mirë të Rusisë T-90.

Pse ukrainasit besojnë se tanket mund të kthejnë valën e luftës?

Një numër i madh i Leopard 2, të disponueshëm edhe në Poloni, që dëshiron t’i dorëzojë ato tek ukrainasit, i bën ata të dëshirueshëm në Ukrainë, e cila ka vlerësuar se i duhen 300 tanke të tilla. Megjithatë, analistët perëndimorë besojnë se 100 prej tyre mund të mjaftojnë për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në luftë.

Cili është problemi?

Duke qenë se tanket Leopard 2 janë dorëzuar në vende të tjera me leje eksporti, Gjermania mund të ndalojë eksportet drejt vendeve të treta. Megjithatë, Polonia ka thënë më 19 janar se ekziston mundësia që ajo ta injorojë Gjermaninë dhe se do t’ia dorëzojë këto tanke Ukrainës.

Gjermania preferon një qasje shumëpalëshe ndaj çështjes së furnizimit me armë në Ukrainë, sesa një qasje të njëanshme. Megjithëse Gjermania ka furnizuar një sasi të madhe pajisjesh ushtarake, duke përfshirë automjete të blinduara, ajo lufton me traditën antimilitariste që u ngrit pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjermanët besonin se tanket Leopard 2 duhet të dorëzoheshin së bashku me tanket e vendeve të tjera perëndimore, mes tyre edhe tanket amerikane Abrams. Megjithatë, ekspertët besojnë se ky tank amerikan është më pak i përshtatshëm për luftën në Ukrainë për shkak të konsumit të lartë të karburantit.

Argumentet kundër shpërndarjes së tankeve

Kundërshtarët e dhënies së tankeve për Ukrainën janë të mendimit se dorëzimi i tankeve do të përshkallëzonte përfshirjen e NATO-s në luftën në Ukrainë, duke rritur rrezikun e përhapjes së luftës. Ukrainasit sigurojnë se do t’i përdorin tanket vetëm brenda kufijve të tyre. Përkrahësit për t’i dhënë tanke Ukrainës theksojnë se Moska është në fakt fajtore për përshkallëzimin e konfliktit.