Lëvizja Besa: Është e papranueshme për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës të negociojnë pikërisht ata të cilët i ikin drejtësisë

Nëpërmjet një njoftimi të Lëvizjes Besa thuhet se “të shqetësimet tona që i kemi paraqitur në opinionin publik rreth takimit të liderëve dhe problemeve në sferën juridike që ballafaqohet shteti u dëshmuan të sakta”.

“Jemi dëshmitarë edhe të një takimi të dështuar mes kryetarëve të dy partive më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Ashtu si e kemi cekur edhe më herët është krejtësisht e pa pranueshme që dy palë të përfshira në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte me proceset gjyqësore apo të prokurorisë publike dhe speciale, të njëjtat të mund të negociojnë edhe për të ardhmen e këtyre institucioneve kaq të rëndësishme të vendit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa.

Ata shtojnë se janë vërtetuar konstatimet e tyre se as LSDM as VMRO-DPMNE si përfaqësues politik edhe, siç thonë nga kjo parti, të BDI-së, nuk mund të vendosin për një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional pasi që të dyja palët bashkë me emëruesin e tyre të përbashkët BDI janë aktorë të cilët duan të ikin drejtësisë.

“Është e pa pranueshme që për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës të negociojnë pikërisht ata të cilët i ikin drejtësisë apo mundohen të gjejnë zbrazëtira për të shpëtuar nga përndjekja për krimet e bëra. Takimi i liderëve mes LSDM dhe VMRO-DPMNE nuk mund të jetë takim që do funksionalizojë shtetin e së drejtës dhe do sjellë drejtësinë në këtë vend, pasi që ata primare kanë se si të mbrojnë interesat e tyre partiake apo kuadrot e korruptuara në të dyja palët përfshirë këtu edhe partnerin e tyre në krim BDI-në”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.

Ata kërkojnë që të pranohet kërkesa e Lëvizjes Besa për një Komision Shtetëror i përbërë nga ekspertë, në të cilin do marrin pjesë me të drejtë vendimmarrje edhe SHBA dhe BE.

“Detyra e këtij komisioni duhet të jetë profesionalizimi i prokurorisë publike, gjykatave, si dhe funksionalizimi i tyre për të garantuar vendosjen e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës. Njëkohësish ky Komision Shtetëror duhet të bëjë edhe procesin e “VETTING”-ut, proces pa të cilin Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do mund të dalë nga tranzicioni që na ka kapluar që nga pavarësia e vendit e deri më sot”, thuhet në kumtesën e kësaj partie opozitare duke bërë apel të mos mbajnë peng ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut.

SHPËRNDAJE