Edhe 15 ditë pas fillimit të vitit shkollor disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe ende nuk kanë filluar me punë. Dhe, gjithë kjo ndodhë si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Arsimit, e cila tani udhëhiqet nga ministri shqiptar nga radhët e BDI-së.

Si pasojë e kushteve të vështira mësimi nuk ka filluar të zhvillohet në disa shkolla të Komunës së Likovës, siç është shkolla fillore e fshatit Opajë, në të cilën zhvillohen punime për rikonstruimin e objektit shkollor, si edhe shkolla e fshatit Mateç.

Shkaku i renovimit të shkollës deri më 13 shtator mësimi nuk është zhvilluar edhe në shkollën e mesme ekonomike të Tetovës, ndërsa si pasojë e mosorganizimit të transportit të nxënësve, mësimi gjithashtu nuk zhvillohet edhe në disa fshatra të Komunës së Dollnenit.

Nisur nga kjo, Lëvizja BESA e pyet Ministrin e Arsimit dhe drejtuesit e Komunës së Likovës dhe të komunave të tjera që nuk mundësojnë mbajtjen e mësimit se a e dinë ata se mësimi fillon në 1 shtator dhe përse deri atëherë nuk i kanë kryer punimet e nevojshme apo pse nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër, që fëmijët të mos humbin nga procesi mësimor?

Meqë detyrim i Komunës dhe Ministrisë së Arsimit është organizimi i transportit të nxënësve që jetojnë më larg se 2 kilometra nga objekti i shkollës, shtrohet pyetja se cilat janë arsyet që nxënësve nuk u sigurohet transporti, ndërsa nxënësve u mohohet e drejta për mësim? Nëse ata vazhdojnë të flenë, ky fenomen do të jetë edhe më i shprehur gjatë stinës së dimrit.

Për këtë arsye i ftojmë të gjithë ata që kanë marrë përsipër të menaxhojnë me arsimin në Maqedoni, qoftë në nivel shtetëror ose edhe në nivel lokal, t’i kryejnë detyrimet e tyre me përgjegjësi dhe, me veprimet e tyre, të mos e dëmtojnë procesin edukativo-arsimor.

                                                        

Shkup, 18.09.2016                                       Departamenti i Arsimit, Shkencës, Rinisë dhe Sportit

Lëvizjes BESA – Shkup