Një ditë pas shpërndarjes së parlamentit Qeveria e Maqedonisë, gjegjësisht Ministria e Financave, nga kreditorët e brendshëm do të kërkon borxh të ri edhe atë me vlerë prej 31 milion euro.

Hutia është me e madhe kur dihet se nesër, më 19 tetor, qeveria duhet të kthen 1.8 milion euro, ndërsa shpall aukcion për obligacione me vlerë prej 31 milion euro. Situata bëhet edhe më konfuze kur kemi pohime nga Ministria e Financave që neto borxhi për këtë aukcion është baras me zero, dhe të gjithë ata që kanë njohuri themelore në matematikë mund ta shohin se Ministria e Financave po kërkon 17 herë më shumë borxh nga ajo që duhet të kthej.

Ne si Lëvizje BESA jemi të shqetësuar dhe më plotë të drejtë pyesim se për çfarë po përgatitet pushteti VMRO – BDI, për çfarë qëllime merr borxh 17 herë më tepër nga ajo që duhet të kthehet?! Apo mos përgatitet për blerjen e radhës të votave, praktikë e zakonshme kjo për ciklet e kaluara zgjedhore?!

Ne si Lëvizje BESA kritikojmë ashpër të gjithë ata që po e viktimizojnë ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme të këtij vendi, gjenerata të cilat do detyrohen t’i paguajnë borxhet si pasojë e papërgjegjësisë së kësaj qeverie, duke ua bërë të ditur se një ditë do të japin llogari para drejtësisë për çdo denarë të qytetarëve – të gjithë ata politikanë që i kanë shpenzuar këto mjete financiare në mënyrë joligjore.