Sot, përfaqësues të Lëvizjes BESA, me në krye Bilall Kasamin, kanë bashkëbiseduar me afaristë shqiptar në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, për problematikat e zhvillimit të biznesit në Maqedoni, si dhe është diskutuar lidhur me platformën ekonomike të BESËS.

“Ky takim i Lëvizjes BESA me OEMVP është një shembull pozitiv se si mund të organizohen bizneset shqiptare, këto takime krijojnë një vlerë të re për afaristët shqiptar. Lëvizja BESA kohë më parë ka përgatitur një platformë ekonomike nga ekspertë të fushës së ekonomisë, njerëz të cilët i njohin mirë problematikat e zhvillimit të ekonomisë në Maqedoni. Dhe sot jemi këtu për të shpalosur këtë platformë ekonomike… Duke u bazuar në shtyllat bazë të Lëvizjes BESA, programi jonë ekonomik pasqyron gjendjen specifike të vendit, ndërsa zgjidhjet e propozuara nuk do të bazohen vetëm në profilin e caktuar politiko-ideologjik, por në një kornizë më të gjerë, e cila do të mundësojë fleksibilitet në zgjidhjet konform rrethanave dhe nevojave specifike. Ne jemi sot këtu, që të dëgjojmë propozimet e Odës dhe bizneseve që ajo përfaqëson, dhe të njëjtat ti përfshijmë në platformën tonë”, – tha kryetari i Lëvizjes BESA,  Bilall Kasami.

Ndërkaq, nga OEMVP konsiderojnë se vetëm atëherë kur parimet e mëposhtme do të inkorporohen në platformat ekonomike do të mund të arrijmë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe mirëqenie sociale si; transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen, zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal, braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore, masa të reja për zvogëlimin e papunësisë: duke synuar përgatitjen e fuqisë punëtore dhe orientimin e saj në profile specifike, përkatësisht në fushën e aftësimit dhe arsimit profesional, përpilim të një platforme ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik, angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%.