Incidenti qe ndodhi mbrëmë në qendër të Shkupit mes tifozëve maqedonas dhe shqiptarëve, nuk përkon me kohezionin multietnik që duhet të mbisundojnë në Maqedoni. Edhe më herët kemi pasur këso dhe raste të ngjashme ku është bërë thirrje dhe brohoritje “për vrasjen dhe dënimin e shqiptarëve” nga huliganë maqedonas të cilët çdoherë kanë krijuar situata që nxisin tensione ndëretnike. Lëvizja BESA e dënon ashpër këtë retorike të huliganëve maqedonas, me çka u bëjmë apel organeve kompetente që ta shqyrtojnë rastin në fjalë duke theksuar se tani më është momenti i fundit i kësaj politike nacional shoviniste.

Gjuha e urrejtjes e përdorur gjatë festimeve të tifozëve maqedonas me rastin e shpalljes së ekipit të Maqedonisë kampione e Evropës në hendboll, dëshmon edhe një herë se sa thellë është ngulitur urrejtja tek përfaqesues të etnitetit maqedonas, të cilët brohorasin parrulla “Shqiptarë te mallkuar” edhe në momentet kur jo pak shqiptarë festonin për suksesin e perfaqësueses së Maqedonisë. Është shqetesues fakti se kjo gjuhë e urrejtjes nuk u dënua nga asnjë parti maqedonase, të cilët deklarativisht synojnë të ndertojne shtet të barabartë për të gjithë qytetetarët, mirëpo heshtin kur etniteti shtetformues në Maqedoni, shqiptarët, ofendohen me fjalor fashist që pasqyron një urrejtje të pastër ndaj bashkeqytetarëve të tyre.

Lëvizja BESA apelon tek institucionet përkatese që të identifikojnë autorët dhe t’i sjellin para drejtësisë. Në të kundertën, heshtja është vetëm një konfirmim i kësaj urrejtje të mbjellur ndër vite nga një diktaturë që u rrenua, por e cila mbijetoi në skenen politike falë shërbetorëve të tyre politik shqiptarë, që heshtën edhe kur shqiptarëve u montoheshin procese gjyqësore, edhe kur huliganë maqedonas rrahnin fëmijë e nxënës shqiptarë, edhe kur dinjiteti i popullit shqiptar nëperkëmbej dhe përbuzej nga të njëjtit perfaqësues që edhe sot heshtin karshi incidenteve të tilla, të patolerueshme në një shtet që synon një prespektivë euroatlantike. Urojmë që qeveria e re të ketë qasje te re ndaj këtyre thirrjeve antishqiptare dhe ndaj huliganëve, kështu që presim sa më shpejte ata të gjenden dhe te dënohen.

Shkup, 06.06.2017                                                                 Lëvizja BESA – Shkup