Lëvizja BESA: Të hiqet testi ekstern nga arsimi fillor dhe i mesëm

Sot, kur Ministria e Arsimit, përkatësisht Qendra Shtetërore e Testimit, i publikoi datat e realizimit të testit ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe për mbajtjen e maturës shtetërore, edhe një herë u rikthyen ethet dhe ankthi për nxënësit, mësimdhënësit dhe familjet e tyre.

Duke konsideruar se testimi ekstern është një trajtë ekstreme e ideologjizimit dhe politizimit të arsimit, madje aty në jo pak raste hasen pyetje me përmbajtje jo të përshtatshme për nxënësit shqiptarë, në të cilat shqiptarët fyhen e poshtërohen, ndërsa përkthimet shqipe jo rrallë janë skandaloze, Departamenti i Arsimit dhe Shkencës pranë Lëvizjes BESA gjykon se testimi ekstern tashmë është bërë dimension i dëmshëm i arsimit në vend, kurse kjo në veçanti shprehet ndaj nxënësit shqiptar. Kur kësaj i shtohet fakti se ky lloj testimi po përdoret edhe “për t’i disiplinuar” arsimtarët, edhe më shumë na shtohet bindja se testimi ekstern është e keqja më e madhe që i ka ndodhur arsimit, arsimtarit dhe nxënësit në Maqedoni.

Duke u bazuar në këtë, Lëvizja BESA e mbështet peticionin e mbi një mijë mësimdhënësve dërguar Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetuetshmërinë e testimit ekstern dhe kërkon nga Gjykata që sa më shpejt të shqyrtojë këtë lëndë dhe të vendosë pozitivisht për tërheqjen e testimit ekstern si akt jokushtetues dhe diskriminues.

Me këtë rast theksojmë se Lëvizja BESA mbetet në qëndrimin se duhet të ketë kontroll të njohurive të nxënësve, por ai duhet të jetë në vazhdimësi dhe permanent e jo vetëm në një mësimore, ngase vetëm një evaluim i vazhdueshëm shkon në dobi të zhvillimit të arsimit cilësor dhe është pasqyrë e të gjithë komponentëve arsimorë e edukativë që realizohen në procesin arsimor.

 

Shkup, 01.06.2016 / Departamenti i Arsimi, Shkencës dhe Sportit – Lëvizja BESA – Shkup