Aktivisët e Lëvizjes BESA kanë organizuar një aksion në Tetovë, gjatë të cilit kanë vënë theksin në politikat e dështuara të kryetares se Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Aktivistët thanë se gabimet nuk mund t’i mbulojë asgjë.

“Ne Forumi Rinor i Lëvizjes BESA jemi sot që së paku të përpiqemi ta mbulojmë këtë turp që na ka pllakosur shkaku se Tetova udhëhiqet nga një kryetare e paaftë. Ndodhemi sot në mesin e këtij grumbulli të mbeturinave që qëndron në hyrje të qytetit të Teovës për ta realizuar këtë aksion simbolik në shenjë revolte dhe proteste ndaj kësaj katastrofe ekologjike. Sikur të mos mjaftonte helmimi i qytetit për vite të tëra, mungesa e ujit dhe e kushteve elementare higjienike, Komuna e Tetovës ka shfaqur neglizhencë të tmerrshme ndaj mbeturinave të qytetit. Cepet e Komunës së Tetovës janë të mbushura me mbeturina, të cilat në mot të nxehtë janë shkaktarë të sëmundjeve dhe viruseve të ndryshme”, ka deklaruar Ridvan Azizi, nga Lëvizja BESA.

Ata ia kanë kujtuar Arifit premtimin e saj se Tetovë do ta bëjë qytetin më të pastër në Maqedoni. “Nuk e dimë nëse kështu duket pastërtia që e ka menduar Teuta Arifi, por çdo ditë jemi dëshmitar të gënjeshtrave të shumta që kjo kryetare e dështuar ua tha tetovarëve. Ajo që di të bëjë znj. Teuta Arifi është që të përpiqet që turpin ta mbulojë me lajme të pavërteta. Dhe ne sot ndodhemi këtu që t’ia lehtësojmë punën asaj”.