Gjatë fundjavës, Pikat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qytetet belge kryen një aksion për lajmrimin e protestës mbarëkombëtare të thirrur nga shoqatat shqiptare dhe të përkrahur aktivisht nga Qendra jonë në Belgjikë.
Kjo protestë, e cila do të mbahet të mërkurën në ora 15:00 përballë Komisionit evropian në Bruksel, do të bëjë thirrje për unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe në Ballkan për të larguar Gruevskin.
Gjithashtu, do ti bëhet thirrje Bashkimit Evropian të ndryshojë qasjen ndaj regjionit. Privilegjimi i stabilitetit politik në dëm të demokracisë dhe shtetit ligjor, duke përkrahur regjime autoritare dhe të korruptuara, tanimë po tregon limitet e veta.
Ballkani është buzë greminës dhe po ndodh e paimagjinueshmja, siç u vërtetua më 27 prill me sulmin terrorist mbi Parlamentin dhe tentim vrasjen e liderëve të opozitës nga huliganët e Gruevskit. Fashizmi dhe autoritarizmi tani po rrezikojnë paqen sociale dhe ndërshtetërore.