Xhuzepe Marota ishte njeriu që vuri firmën në kontratën, e cila solli Kristiano Ronaldon te Juventusi në verën e 2018-ës, ndonëse menjëherë më pas, në tetor të atij viti, u largua nga bardhezinjtë.

Thashethemet thoshin se ish-drejtori i përgjithshëm i Juves ishte kundër afrimit të portugezit, për kostot e operacionit, ndaj erdhi edhe “divorci”.

Por, fjalët që Marota shprehu së fundmi duket se konfirmojnë të kundërtën. “Kristianon e njoha, pasi ishte bërë ‘burrë’, por di të them se është një kampion i madh dhe me cilësi humane të jashtëzakonshme. Është e vërtetë gjithashtu se lojtarë të këtij tipi bëhen shumë të vështirë të menaxhohen nga klubi, pasi dinë gjithçka.

 

 

Ronaldo për shembull ishte i kujdesshëm edhe ndaj ujit mineral që konsumonte, lexonte çdo përbërës që ndodhej në etiketë. Kampionë të tillë janë të rrallë për t’u gjetur”, u shpreh administratori i Interit në prezantimin e librit të gazetarit sportiv, Xhanluka di Marcio.