Mbledhja e mbrëmshme e kryesisë së BDI-së ka kaluar në një atmosferë të tensionuar, ku shumica e kryesisë qendrore ka qenë kundër koalicionimit me VMRO-DPMNE. Por edhe përkundër kundërshtimeve të forta, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka mbajtur qëndrimin e fortë se partia që drejton ai duhet të vazhdojë koalicionimin me VMRO-DPMNE. Sipas portalit,që thirret në burime partiake, Gruevski ka hequr dorë nga mandati për kryeministër dhe në vend të tij do të jetë Nikolla Popovski, ministri i jashtëm aktual.

Por edhe për këtë ka pasur kundërshtime nga kryesia e BDI-së, sidomos nga shumcia e anëtarëve, të cilët kanë thënë se Popovski do të jetë figurë formale sikur tani kryeministri teknik Emil Dimitriev. Por Ahmeti është arsyetuar se qëndrimi i BDI-së dhe kushtet e saj janë triumf në këto negociata.

Ahmeti më në fund ka thënë se ky është vendim i tij, pavarësisht pasojave që do të jenë dhe se ai do të jetë përgjegjës.

Lidhur me kushtin për Prokurorinë Speciale, thuhet se BDI do të propojë ndryshimet e ligjit për shtyrjen e mandatit të hetimeve, por kjo nuk do të votohet në Kuvend, ashtu që BDI me këtë skenarë do të dal e “pastër” para bashkësisë ndërkombëtare. (INA)