Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar mbrëmë për zgjatjen e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë, deri në mes të vitit 2017, megjithqë disa kërkuan periudhë më të gjatë të sanksioneve për shkak të shqetësimeve se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do ta zbusë presionin ndaj Moskës

Tash pritet vendimi dhe procesi formal për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë në sektorët e mbrojtjes, energjisë dhe atë të financave. Vendimi pritet javën e ardhshme, raporton agjencia Reuters nga Brukseli.

“Disa nga kolegët tanë do të dëshironin ndoshta 12 muaj, por ajo që është e mundshme për ta mbajtur formatin tonë aktual, nënkupton gjashtë muaj”, tha presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

Sanksionet kundër Rusisë janë imponuar për shkak të aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe për shkak të mbështetjes për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës./REL/