Amendamentet e partive politike për Ligjin për përdorimin e shqipes mund të përplasin deputetët e pozitës dhe opozitës. VMRO-DPMNE-ja në 83 amendamentet e saj kërkon që në Propozim ligjin për gjuhët plotësisht të hiqen një pjesë e neneve dhe të ndryshohen disa të tjerë. Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, në Ligj nuk duhet të qëndrojë e theksuar “gjuha shqipe” por të mbetet në korniza të saj që e parashikon Kushtetuta, d.t.th. si gjuhë e 20 % të popullsisë si dhe të tërhiqet ylli i BE-së dhe për këtë I referohen edhe deklaratës së një dite më parë të komisionerit Han. Në procedurat gjyqësore, dokumente dhe material të tjera gjyqësore, VMRO-DPMNE-ja kërkon që zyrtare të mbetet vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj, me qëllim që të mos dublohen vendimet në dy gjuhë. Materialet të mund të merren të përkthyera edhe në gjuhën amë të palëve. Më tej, nëpërmjet amendamenteve, VMRO-DPMNE-ja kërkon që të shfuqizohen Nenet për dygjuhësi në uniformat e forcave të rendit dhe në valuta kurse udhëzimet në ilaqe të jenë në gjashtë gjuhë, maqedonisht, shqip, turqisht, gjuhë vllahe, serbe dhe rome.

Sa i takon Agjencionit për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, VMRO-DPMNE-ja kërkon që ajo të shërbejë si inspektorat për vëzhgimin e përdorimit të versioneve standarte edhe të gjuhëve tjera, gjegjësisht të maqedonishtes, shqipes, turqishtes, vllahes, serbes dhe romes. Drejtori i Agjencisë të zgjidhet nga Kuvendi dhe jo nga Qeveria kurse filologët e punësuar aty të mos jenë vetëm shqiptarë por edhe të etnive të tjera. Dënimet për mos-zbatimin e këtij ligji, sipas VMRO-DPMNE-së duhet të variojnë nga 40 deri 50 euro.

Mesazh më të qartë se ai që e dha dje eurokomesari Johanes Han nuk mund të ketë. Ai nuk ishte as mesazh diplomatik, ishte i fortë dhe preciz dhe nënkupton që ky Kuvend ka keqpërdorur flamurin evropian në ligjin për përdorimin e gjuhëve për të shkurtuar të gjithë debatet dhe diskutimet e mundshme – tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja përmes katër amendamenteve kërkon që të avancohet përdorimi i të gjithë gjuhëve, përve[ shqipes. Në Nenin që theksohet gjuha shqipe si gjuhë që e përdorin më shumë se 20% e qytetarëve, më poshtë thuhet se në nivel lokal, me vendim të këshillit komunal të mund avansohet përdorimi edhe I gjuhëve të bashkësive të tjera edhe në qoftë se ata nuk janë mbi 20%. Propozimi tjetër I LSDM-së konsiston në uljen e dënimeve për mos-zbatimin e ligjit. Nga 4 deri 5 mijë euro si[ qëndron në propozim ligj, partia e Zoran Zaevit propozon që ata të ulen në 1 deri 2 mijë euro.

Me amendamentet avancohet pozita e bashkësive më të vogla të cilat theksohen në preambulën Kushtetuese me çka do të mundësohet që edhe këto bashkësi të realizojnë të drejta të caktuara të parapara në zgjidhjen ligjore. Njëkohësisht propozojmë uljen e lartësisë së dënimeve të parapara për institucionet që nuk do ta respektojnë atë. Jemi njoftuar nga Qeveria se ekziston konkluzion dhe pajtim që Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të kërkojë mendim nga Komisioni I Venedikut për të gjithë teksin e ligjit, pas miratimit të tij – Tomisllav Tuntev, kordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

LSDM-ja thotë se për ndryshimet e propozuara është konsultuar edhe me BDI-në. Nëpërmjet dy amendamenteve të saj, Lëvizja Besa kërkon që ligji të mos quhet “ligji për përdorimin e gjuhëve”, por “ligji për përdorimin e gjuhës shqipe” kurse në Nenin e partë të tij, të “gjuha shqipe dhe alfabeti I saj” të qëndrojnë përkrah theksimin të “gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik” si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe në marrëdhëniet e ndërkombëtare të vendit.

Amendament në vete ka dorëzuar edhe ish kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski i cili kërkon shfuqizim të të gjitha neneve të këtij ligji duke i konsideruar si jokushtetuese.