Qeveria konfirmon se ka kërkuar shtyerjen e miratimit të vlerësimeve të Komisionit të Venecias mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kryeministri Zoran Zaev deklaron se pushteti ka nevojë për kohë që të përgatisë kundërargumentet për kritikat e tyre rreth pengesave eventuale për zbatimin e këtij ligji në sistemin gjyqësor.

E para, këtë e kërkoi Qeveria si Qeveri. Kërkuam për shkak të kohës së nevojshme për t’i analizuar argumentet e tyre dhe t’i japim qëndrimet tona dhe thamë që do ta presim vlerësimin final. Qëndrimi i të gjithë neve në qeveri është që kur të vijë vlerësimi përfundimtar, të zbatohet, sepse duam të jemi anëtare e BE-së dhe Komisioni i Venecias me qëllim të mirë dhe të drejtë, gjithmonë dhe sipas vlerave evropiane, i jep sugjerimet e tij- deklaroi Zoran Zaev.

Edhe pse partneri i koalicionit qeveritar, BDI, është deklaruar kundër ndryshimit të ligjit, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska kujton se vendimi që ligji të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias ka qenë i përbashkët.

Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dilemë dhe debat nëse do të zbatohen rekomandimet. Me vetë atë që të gjithë jemi pajtuar ta dërgojmë ligjin e plotë dhe nenin e pamiratuar në Komisionin e Venecias, kemi pranuar që edhe rekomandimet do t’i marrim seriozisht, do t’i shqyrtojmë dhe do t’i zbatojmë- tha Renata Deskoska.

Opozita vazhdon të thumbojë pushtetin për vërejtjet rreth ligjit. Kreu i VMRO-DPMNE-së ka shkruar se kritikat ishin të pritshme.

Paralajmëruam se pas shqyrtimit të lëndës për Ligjin për përdorimin e gjuhëve nga ana e Komisionit të Venecias, ai do të pësojë, ashtu si dhe të gjithë lëndët që shqyrtohen në Gjykatën e Strazburgut- pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni i Venecias, sipas një version jozyrtar të publikuar në media, ka vlerësuar se në disa fusha Ligji për përdorimin e gjuhëve shkon shumë larg duke imponuar detyrime juridike joreale ndaj institucioneve publike. “Në është veçanti rasti me dispozitat që parashikojnë përdorimin e gjuhës shqipe në proceset gjyqësore të cilat … do të kishin nevojë për përgatitje shumëvjeçare për t’u zbatuar plotësisht. Nga “Venecia”, jozyrtarisht theksohet se “mosarritja për të siguruar përkthim dhe interpretim të cilin e parashikon ligji gjatë gjithë procedurës përbën një bazë për kthimin e vendimit gjyqësor. Në rrethanat aktuale, nëse Ligji do të zbatohet i plotë, ai do të ngadalësonte ndjeshëm funksionimin e të gjithë sistemit gjyqësor”, theksohet në draft. Komisioni i Venecias kërkon reduktim të sanksioneve për institucionet që nuke zbatojnë ligjin.