Ligjvënësit britanikë po kërkojnë një hetim për të përcaktuar nëse agjenci britanike të sigurisë kanë luajtur rol dhe cili është ky rol në përpilimin e një dosjeje të debatueshme me informacione zbulimi, të përgatitur nga një ish-anëtar i shërbimeve sekrete të vendit.

Në Londër po shtohen shqetësimet se akuzat e papërshtatshme të përfshira në dosjen me 35 faqe për Presidentin e zgjedhur amerikan, republikanin Donald Trump mund të ndikojnë tek marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ligjvënësit thonë se komisioni i zbulimit i Parlamentit britanik, duhet të hapë një hetim për të gjetur nëse shërbimet e zbulimit dhe ministrat, përfshirë kryeministren Theresa May, e kishin parë dokumentin e përgatitur nga Christopher Steele, një ish-anëtar i shërbimit britanik të zbulimit të huaj, MI6.

Ata duan të dinë gjithashtu nëse qeveria e kishte shqyrtuar dosjen, që përfshin informacion të papërshtatshëm dhe komprometues që mund të ishte përdorur për të diskredituar zotin Trump, nëse do të ishte i vërtetë, para se t’ia kalonin FBI-së.

Zoti Steele, bashkëpronar i një firme private të zbulimit me qendër në Londër u punësua me kontratë gjatë garës presidenciale amerikane nga kundërshtarët politikë të zotit Trump për të hetuar lidhjet e miliarderit me Rusinë. Zyrtarë të qeverisë britanike, kanë konfirmuar për Zërin e Amerikës ish agjenti i MI6, foli me zyrtarë të zbulimit britanik lidhur me hetimin e tij dhe kërkoi autorizimin e agjencisë, si çështje kortezie, para se t’ia dorëzonte FBI-së përfundimet e tij dhe të takohej me zyrtarë amerikanë të rendit për t’I diskutuar ato.